Rama i paguan 3.1 milionë euro çdo muaj mikut të tij i.zraelit, Ron Yefet
Saturday, 15 August 2026 15:50
Dy ditë më parë, Thesari i Shtetit realizoi një pagesë prej 331.1 milionë lekësh ose 3.1 milionë euro për kompaninë Timak Defence, e cila i shtohet një serie transaksionesh që nga 10 muajt e fundit. Gjatë kësaj periudhe, buxheti shqiptar ka transferuar mbi 31 milionë euro total për këtë kompani, duke rezultuar në një mesatare mujore prej rreth 3.1 milionë eurosh. Pagesat justifikohen me blerjen e automjeteve teknike dhe sistemeve kundër dronëve për Forcat e Armatosura, por shifrat tejkalon dukshëm çdo kontratë të mëparshme të ngjashme. Ky volum financimi e bën këtë biznes tre herë më të madh se inceneratori i Tiranës, duke ngritur dyshime për natyrën reale të këtij partneriteti.
Struktura pronësore e Timak Defence zbulon një transformim të papritur, pasi vetëm një vit më parë kompania ishte 100% në pronësi të Arjeta Pucës. Në qershor të vitit të kaluar, Puca i shiti 49% të aksioneve izraelitit Ron Yefet për vetëm 49 mijë lekë (rreth 500 euro), një vlerësim që nuk lidhet aspak me miliona eurot që do të vinin më pas. Aktualisht, qeveria shqiptare mban 20% të aksioneve përmes shoqërisë Kayo, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga privatët, me Arjeta Pucën që ka 40.8% dhe Yefet-in që zotëron 39.8%. Kjo ndryshim i shpejtë i strukturës aksionare, i ndjekur nga kontrata gjigante shtetërore, tregon një skemë ku një investim simbolik prej disa qindra eurosh u shpërblye me të ardhura mujore prej milionësh.
Ron Yefet nuk e ka mohuar kurrë njohjen e tij me kryeministrin Edi Rama, veçanërisht gjatë procesit gjyqësor në vazhdim, duke e lënë të qartë se lidhja personale është kyçe për këtë marrëveshje. Fakti që një kompani pa eksperiencë të mëparshme në armatime, e krijuar dhe ristrukturuar vetëm pak muaj para nisjes së pagesave, siguron një kontratë kaq të madhe flet për anashkalim të procedurave standarde të tenderit.