Lidhje


Nga Gaza në Sazan/ Flotilja e Global Sumud vjen në Shqipëri

 

Tre anije të Global Sumud Flotilla, rrjetit ndërkombëtar të aktivistëve të njohur për misionet detare drejt Gazës, pritet të mbërrijnë në Shqipëri pas një ndalese në Brindisi më 20 gusht. Destinacioni i tyre është zona e Sazanit dhe Nartë–Zvërnecit, ndërsa misioni lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen për protestat kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner dhe me të ashtuquajturin “Revolucioni i Flamingove”.

 

Sipas raportimeve të mediave italiane, anijet janë nisur nga Augusta e Sicilisë dhe do të vijojnë drejt Shqipërisë pas aktiviteteve publike të programuara në Brindisi. Në bord ndodhen aktivistë italianë dhe pjesëmarrës të misioneve të mëparshme pro-palestineze, ndërsa organizatorët e paraqesin udhëtimin si një akt solidariteti me protestuesit shqiptarë dhe si kundërshtim ndaj mënyrës se si po zhvillohen projektet e mëdha turistike në territorin shqiptar.

 

Misioni ka edhe një simbolikë të fortë shqiptare: organizatorët e lidhin atë me 35-vjetorin e eksodit të anijes “Vlora” të vitit 1991, duke e përmbysur simbolikisht itinerarin e atëhershëm Shqipëri–Itali në një udhëtim Itali–Shqipëri. Në flotilje pritet të ketë edhe familjarë të shqiptarëve që kishin udhëtuar me “Vlora”-n.

 

Pas mbërritjes, pjesëmarrësit pritet të përfshihen në aktivitetet dhe protestat e planifikuara për 21 dhe 22 gusht, përfshirë një protestë në Tiranë. Deri tani nuk ka konfirmim të besueshëm për pretendimet se flotilja financohet nga Alex Soros, se Greta Thunberg do të jetë pjesë e saj apo se bëhet fjalë për dhjetëra mijëra pjesëmarrës.

XS
SM
MD
LG