Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil trondit Portugalinë, qeveria ndjek hetimet
Qeveria portugeze ka reaguar pas vrasjes së një turisti 20-vjeçar në Ksamil, duke konfirmuar se po ndjek nga afër hetimet përmes ambasadës së Portugalisë në Romë dhe konsullatës së nderit në Tiranë. Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Raquel Trindade, tha për radion portugeze Renascença se Lisbona ende nuk ka marrë informacion zyrtar të plotë mbi dinamikën e ngjarjes dhe po bashkëpunon me autoritetet shqiptare dhe familjen e viktimës.
Sipas hetimeve të Policisë shqiptare, 20-vjeçari humbi jetën në orët e para të 18 gushtit pas një konflikti që nisi në ambientet e një lokali në Ksamil dhe vijoi në plazh. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. I dyshuari kryesor, një 29-vjeçar, u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte drejt Tiranës.
Policia dyshon se 29-vjeçari e ka goditur disa herë me thikë viktimën, ndërsa një tjetër person i shpallur në kërkim dyshohet se e ka goditur me grushte gjatë përplasjes. Mes të arrestuarve ka edhe punonjës të lokalit dhe persona të angazhuar në sigurinë e tij, të cilët po hetohen për rolin e tyre para dhe pas konfliktit.
I dyshuari kryesor rezulton gjithashtu me precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar. Raportimet mediatike tregojnë se ai ishte dënuar në vitin 2024 për vepra që lidhen me kokainën, drejtimin e rrezikshëm të automjetit dhe drejtimin nën efektin e drogës.
Autoritetet portugeze kanë deklaruar se do të vazhdojnë të ndjekin çështjen deri në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe në sigurimin e informacionit zyrtar nga Shqipëria.