Skenarët e përsëritur/ Veliaj përdor mediat e huaja për të kërcënuar drejtësinë dhe Shqipërinë
Shkrimet e publikuara në mediat e huaja në mbrojtje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po nxjerrin më shumë në pah mënyrën se si po financohet dhe orkestrohet një fushatë e mirëfilltë PR-je ndërkombëtare.
Kjo fushatë shfaqet sa herë Erion Veliaj duhet të përballet me gjykatat, ka një seancë në Kushtetuese, GJKKO apo Administrative, fillojnë shkrimet. Së fundi pritet një vendim i Gjykatës së Lartë më 15 shtator, dhe filluan sulmet, kërcënimet apo publikimet me akuza kundër drejtësisë në mesin e pushimeve dhe vapës.
Së fundmi, konkretisht më 15 gusht, një tjetër artikull është publikuar në një platformë mediatike holandeze "Wynia's Week".
Për të verifikuar nëse ky shkrim përfaqëson një qëndrim të pavarur editorial apo është një material i sponsorizuar dhe me pagesë, CNA iu drejtua zyrtarisht më 18 gusht me një kërkesë për informacion drejtuesve të kësaj medieje holandeze, por edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë nga dërgimi i email-it, ende nuk ka pasur asnjë përgjigje apo reagim zyrtar prej tyre.
Heshtje kjo jo e rastësishme, por CNA e ka provuar në rastet e tjera, kjo e konfirmuar edhe nga lobimet e Erion Veliajt, se këto shkrime bëhen me pagesë si fushatë propagande pro Veliajt, pse jo nga gjuha e përdorur shkon deri në kërcënimin për integrimin e Shqipërisë dhe duket sistematike si një presion i hapur dhe shantazh ndaj drejtësisë.
Në shkrimin e publikuar në një media holandeze që ndoshta shumë s'e dinë që ekzistonte, thjesht meqë qenka holandeze, krahasohen procedurat ndaj kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem ?mamo?lu, me paraburgimin e Veliajt, duke ngritur pikëpyetjen se pse hesht Brukseli.
Përpjekja për të krahasuar rastin e Turqisë me atë të Shqipërisë është një manipulim i hapur publik. Turqia është një regjim autoritar ku goditja ndaj opozitës bëhet me urdhra politikë, ndërsa Shqipëria është një vend kandidat që synon integrimin në BE, ku janë hapur dhe mbyllur disa kapituj dhe në pushtet është partia dhe qeveria e Erion Veliajt.
SPAK-u është institucioni me mbështetjen me të madhe nga BE-ja dhe vendet partnere dhe falë tij po funksionon shteti i së drejtës dhe zyrtarë të lartë po përballen me drejtësinë për aferat e tyre korruptive.
Rasti i Veliajt nuk është një persekutim politik, por një hetim i SPAK-ut për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, çka e bën krahasimin e medias holandeze krejtësisht të pabazë. SPAK-un e votoi partia e zotit Veliaj, SPAK e mbështet partia e vëllait të kryebashkiakut që sponsorizon këto shkrime kundër drejtësisë.
Shkrimet në media të huaja si kjo holandeze dhe mungesa e përgjigjes ndaj CNA-së, flet edhe më shumë kur sheh se si ky shkrim u shpërnda brenda pak orësh, konkretisht më 16 gusht në Shqipëri nga një rrjet mediash vendase, ato të financuara me paratë e aferave të inceneratorëve apo të paguara nga reklamat e vëllait të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kjo skemë me lajme në media ndërkombëtare qendrore apo periferike paguhet nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, dhe kryhet nga lobistët dhe studio ligjore që kanë përgatitur një strategji të qartë. Që nga shtyrjet e seancave te shtatzanitë në familje dhe ky nuk është një rast i vetëm.
Sipas dokumenteve zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë të publikuara më herët janë paguar gati 300 mijë dollarë për studion ligjore dhe shërbime PR si Kasowitz Benson Torres apo Mishcon de Reya, për të mbrojtur Erion Veliajn, si dhe për të sulmuar prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqtarët, të cilët hetuan kryebashkiakun.
Kjo fushatë mbështetet në skemën e njohur të "lavatriçes mediatike", ku shkrime të ngjashme mbrojtëse janë publikuar më herët në platforma si “The Economist”, “Jerusalem Post”, “EU Reporter”, “European Business Magazine” dhe “Europrospects”.
Të gjitha këto lëvizje provojnë se përballë fakteve të drejtësisë, mbrojtja e vetme e Veliajt po kërkohet përmes fushatave të shtrenjta të lobimit dhe PR ndërkombëtar me pagesë, dhe prej më shumë se 12 muajsh nuk shkon në seancat gjyqësore duke i shtyrë ato pa ndalim, strategji kjo e qartë e mbrojtësve të tij ligjorë. Veliaj nuk po përballet me drejtësinë, por po lufton dhe mbrohet me propagandë. /CNA