Harta e re me 46 bashki, a do të përmirësohen shërbimet apo do të thellohet largimi i qytetarëve?!
Shqipëria po përgatitet të ndryshojë për herë të dytë, brenda pak më shumë se një dekade, hartën e qeverisjes vendore. Projektligji i mazhorancës propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke bashkuar 15 prej tyre me njësitë më të mëdha fqinje.
Por debati nuk duhet të kufizohet te numri i bashkive. Pyetjet thelbësore janë nëse harta e re do të arrijë të bëjë një menaxhim më të mirë të zonës në njësinë që mbulon pushteti vendor dhe do t’i përmirësojë realisht shërbimet për qytetarët.
Përvoja e reformës së vitit 2014 nuk është inkurajuese. Bashkimi i 373 njësive vendore në 61 bashki synonte ekonomi shkalle, administrata më profesionale dhe shërbime më cilësore. Të ardhurat vendore u rritën për shkak se morën më shumë funksione dhe taksat e tarifat më të larta, por kjo nuk u përkthye në të njëjtën masë në përmirësim të shërbimeve.
Banka Botërore evidentoi se furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve, arsimi, kujdesi për fëmijët dhe reagimi ndaj fatkeqësive u përkeqësuan në zonat me nevoja më të mëdha, sidomos në territorin rural.
Teksa banorët detyroheshin të udhëtonin me orë për të marrë një shërbim minimal, kjo nxiti dhe shpopullimin e zonave, një temë kjo e trajtuar më herët në “Monitor”.
Ky është mësimi që rrezikon të anashkalohet përsëri: bashkimi administrativ zvogëlon numrin e institucioneve, por nuk e shkurton distancën e qytetarit nga shërbimi.
Kur qendra e vendimmarrjes largohet dhe njësitë administrative nuk kanë buxhet, personel e kompetenca reale, ekonomia e shkallës për bashkinë mund të kthehet në kosto shtesë për banorin.
Edhe pretendimi se reforma e vitit 2024 solli administrata më të vogla dhe më eficiente ka rënë tërësisht. Personeli i pushtetit vendor u dyfishua nga rreth 19 mijë punonjës në 2014 në mbi 39 mijë në 2025. Vitin e kaluar, rreth gjysma e buxhetit vendor shkoi për personelin, nga 25.5% në vitin 2021.
Në shumë bashki të vogla, pagat zënë mbi 60% të buxhetit, duke lënë pak hapësirë për investime. Ndërkohë, raporti i punonjësve për 1,000 banorë u rrit me rreth 8.2% vetëm gjatë vitit 2024.
Rritja e personelit lidhet pjesërisht me funksionet e transferuara nga qeveria qendrore, ndaj nuk mund të trajtohet e gjitha si fryrje administrative.
Megjithatë, nuk ka analiza për të vlerësuar dobishmërinë e rritjes së numrit të punonjësve. Në vitin 2024, shërbimi i mbetjeve mbulonte mesatarisht 85.6% të popullsisë, por vetëm rreth 65% të banorëve ruralë. Pra, pas një dekade reformë, një pjesë e madhe e fshatrave mbetet ende jashtë një shërbimi bazë.
Përvoja tregoi se reforma e vitit 2014 u deformua gjatë zbatimit. Shumë funksione u transferuan të copëzuara te pushteti vendor, duke sjellë kaos në ofrimin e shërbimeve.
Zjarret janë shembulli më i qartë i pasojave të amullisë së kompetencave: stacionet dhe trupat zjarrfikëse varen nga bashkitë, standardet mbikëqyren nga Ministria e Brendshme, ndërsa operacionet e mëdha duhet të drejtohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke krijuar disa qendra vendimmarrjeje që ngadalësojnë ndërhyrjen dhe lejojnë kalimin e përgjegjësisë nga një institucion te tjetri.
Pikëpyetje ngre edhe konsultimi për reformën e re. Procesi nisi përmes një komisioni të paraqitur si bipartizan, por përfundoi pa një produkt konsensual. Projektligji me 46 bashki u depozitua në Kuvend dhe vetëm më pas iu dërgua bashkive, të cilave iu dhanë 60 ditë kohë për konsultime me qytetarët. Kjo krijon përshtypjen se qytetarët po pyeten, pasi harta është konfiguruar.