Lidhje


Amerikani i Clintonit angazhohet për “shtetin bektashi” në Tiranë

 

Projekti për krijimin e një Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë po merr një dimension më të gjerë ndërkombëtar. Gazeta holandeze NRC raporton se në promovimin dhe avancimin e nismës është angazhuar Christopher Hyland, 78-vjeçar amerikan, sipërmarrës, investitor në pasuri të paluajtshme dhe ish-këshilltar i presidentit Bill Clinton. Hyland është vendosur në Tiranë si “i dërguar i posaçëm” dhe po punon për sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për projektin.

 

Plani, i shpallur fillimisht nga kryeministri Edi Rama në vitin 2024, parashikon krijimin e një mikroshteti prej rreth 11 hektarësh në territorin ku ndodhet selia botërore e bektashinjve në Tiranë. Sipas konceptit të bërë publik, entiteti do të drejtohej nga Baba Mondi dhe synohet të ketë administratën, pasaportat dhe kufijtë e vet, duke u prezantuar si një model i ngjashëm me Vatikanin dhe si qendër ndërkombëtare e promovimit të tolerancës fetare.

 

NRC zbulon se krahas Hylandit në projekt është përfshirë edhe Hazis Vardar, shqiptaro-belg që jeton në Paris dhe vepron si i dërguar i posaçëm i bektashinjve në Evropë. Hyland, i cili thotë se ka punuar për vite me çështjen e Kosovës dhe ka qenë i përfshirë edhe në procese ndërkombëtare paqeje, deklaron se nuk paguhet për angazhimin e tij dhe se synimi i tij është të kontribuojë në krijimin e një strukture të re shtetërore.

 

Megjithatë, afro dy vjet pas shpalljes së projektit, hapat konkretë juridikë dhe diplomatikë mbeten të paqartë. Për realizimin e një shteti të ri brenda territorit shqiptar do të nevojiteshin ndryshime kushtetuese, legjislacion i posaçëm, përcaktimi i marrëdhënieve me Shqipërinë dhe më pas njohja nga shtete të tjera. Deri tani, sipas gazetës holandeze, nuk janë bërë publike marrëveshje apo procedura konkrete që do ta çonin projektin drejt realizimit.

 

Analisti Lutfi Dervishi e cilëson idenë fillestare si një lëvizje të fortë publicitare të Ramës për ta paraqitur Shqipërinë si model të tolerancës fetare, duke theksuar se deri tani është parë më shumë retorikë sesa zbatim. Hyland, megjithatë, këmbëngul se puna po vazhdon dhe shprehet optimist për të ardhmen e projektit: “Nuk kemi qenë kurrë më afër se kaq. Dhe nesër do të jemi përsëri një hap më pranë.”

XS
SM
MD
LG