Lidhje


“DOSJA SHQIPTARE” e Kushnerit/ Në Uashington kërkojnë lidhjet me Ramën dhe Artur Shehun

 

Demokratët e Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë zgjeruar hetimin ndaj Jared Kushner, duke vendosur në fokus projektet e tij turistike në Shqipëri. Kongresmeni Jamie Raskin i ka kërkuar Kushnerit dokumente mbi miratimin dhe shqyrtimin e investimeve, përfshirë çdo komunikim mes qeverive amerikane dhe shqiptare, si dhe të dhëna që lidhen me mënyrën e sigurimit të pronave.

 

Në letrën e bërë publike, Raskin ngre pyetjen nëse veprimtaria e Kushnerit duhet të shqyrtohet edhe në kuadër të Aktit amerikan për Praktikat e Korrupsionit të Huaj, duke iu referuar polemikave mbi pronësinë e tokës dhe raportimeve që lidhin biznesmenin Artur Shehu me dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Raskin përmend gjithashtu miratimin e projektit nga qeveria e Edi Ramës dhe kërkon sqarime për marrëdhëniet që kanë shoqëruar investimin.

 

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë akuzat si pjesë të sulmeve politike të demokratëve, ndërsa përfaqësuesit e Kushnerit kanë deklaruar më herët se ai ka respektuar ligjin dhe se blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme. Demokratët janë aktualisht në pakicë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndaj nuk kanë fuqinë për ta detyruar Kushnerin të dorëzojë dokumentet, por paralajmërojnë se hetimi mund të marrë përmasa të tjera nëse fitojnë kontrollin e Dhomës në zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG