Ardit Hoxhllaku reagon ndaj trajnimit për Holokaustin: “Historia nuk mësohet nga ata që e shkruajnë me gjakun e të pafajshmëve”
Ardit Hoxhllaku ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me përfshirjen e Izraelit në trajnimin e mësuesve shqiptarë për edukimin mbi Holokaustin dhe luftën kundër antisemitizmit.
Në reagimin e tij, Hoxhllaku e lidh nismën me luftën në Gaza dhe akuzon shtetin izraelit për gjenocid, duke argumentuar se ai nuk mund të marrë rolin e mësuesit për Holokaustin ndërkohë që, sipas tij, po shkatërrohen jetë dhe infrastruktura civile palestineze.
“Nuk mund të na mësojë për holokaustin një shtet që bën gjenocid para botës që sheh me sytë e saj shkatërrimin e jetëve, shtëpive, spitaleve, shkollave, pemëve dhe çdo gjurme jete”, shkruan Hoxhllaku.
Ai e përforcon kritikën me pohimin se “Historia nuk mësohet nga ata që e shkruajnë me gjakun e të pafajshmëve”, ndërsa në fund paralajmëron kundër asaj që e konsideron përdorim të shoqërisë shqiptare për interesa apo eksperimente të të tjerëve: “Ne nuk jemi minj në kafaz që presim të na përdorin për eksperimentet e tyre.”
Reagimi i Hoxhllakut vjen në kuadër të debatit të shkaktuar nga programi i trajnimit të mësuesve shqiptarë mbi Holokaustin dhe antisemitizmin, ku përfshirja e përfaqësisë izraelite në Tiranë ka nxitur reagime kritike në rrjetet sociale.a