Antropologjia para urbanistikës
Saturday, 05 September 2026 13:07
Laura Kërtalli
Në një shkrim të mëparshëm argumentova se antropologjia vjen para politikës.
Përpara se të pyesim si duhet ta ndërtojmë qytetin, duhet të pyesim: për çfarë njeriu po e ndërtojmë?
Nëse njeriun e shohim vetëm si individ ekonomik, qyteti reduktohet lehtësisht në hapësirë banimi, pune, lëvizjeje dhe konsumi.
Por nëse e shohim edhe si qenie familjare, komunitare dhe historike, ndryshojnë edhe prioritetet: familja, lagjja, hapësira e përbashkët, përkatësia, trashëgimia dhe vazhdimësia ndërmjet brezave marrin një tjetër peshë.
Këtu antropologjia takohet me urbanistikën.
Aldo Rossi, te “The Architecture of the City”, e trajton qytetin jo thjesht si një grumbull objektesh, por si bartës të kujtesës kolektive. Qyteti grumbullon kohë: ndërtesat, rrugët dhe monumentet mbartin gjurmët e brezave që kanë jetuar para nesh. Në këtë kuptim, qyteti nuk fillon me ne.
Dhe pikërisht këtu gjej terren për një qasje konservatore ndaj zhvillimit urban në Shqipëri.
Të konservosh nuk do të thotë të refuzosh modernen, as ta kthesh qytetin në muze. Do të thotë të zhvillosh pa këputur rrënjët; të ndërtosh të renë pa fshirë të vjetrën; të modernizosh duke ruajtur identitetin arkitektonik e kulturor, komunitetin, peizazhin dhe trashëgiminë që një brez ia përcjell tjetrit.
Shqipëria duhet të zhvillohet, por zhvillimi nuk duhet ta bëjë të panjohshme për vetveten.
Dhe pikërisht këtu urbanistika bëhet politike.
Çfarë ruajmë dhe çfarë shembim; ku dhe sa ndërtojmë; çfarë mbrojmë dhe çfarë i lëmë tregut; kujt i japim të drejtën të transformojë territorin dhe, mbi të gjitha, çfarë Shqipërie u lëmë atyre që vijnë pas nesh.
Këto nuk janë vetëm vendime teknike.
Pas tyre qëndrojnë ide mbi njeriun, pronën, familjen, komunitetin, shtetin, tregun dhe traditën.
Prandaj urbanistika nuk është politikisht neutrale.
Në politikë, idetë bëhen parime.
Në urbanistikë, parimet marrin formë.
…
P.S. Ironikisht, Aldo Rossi kishte një background në Partinë Komuniste Italiane. Theksi që Rossi vendos te memoria kolektive, permanenca dhe vazhdimësia historike e qytetit mund të takohet me një ndjeshmëri thellësisht konservatore ndaj trashëgimisë.
Një mendimtar i së majtës mund të japë argumente shumë të mira për të djathtën, qoftë si Rossi duke artikuluar mendim kontradiktor, po ashtu dhe nga problematikat faktike qe sjell mendimi i së njëjtës linjë.
Regres nën tutelën e progresit; shkëputje nga memoria historike në emër të së resë; standardizim në vend të identitetit; monumentalizim të ideologjisë në vend të vazhdimësisë organike të qytetit; dobësim të pronës dhe përgjegjësisë individuale.