Shqipëria futet në misionin për Gazën, e nis me katër oficerë
Shqipëria po përgatitet të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës (ISF), në koordinim me SHBA-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi pas takimit në Tiranë me komandantin e forcës, gjeneralmajor Jasper Jeffers, se pjesëmarrja shqiptare synon të kontribuojë në sigurinë, ndihmën humanitare dhe rindërtimin e Gazës.
Sipas Hoxhës, angazhimi në ISF shihet nga qeveria si vazhdim i pjesëmarrjes së Shqipërisë në misione ndërkombëtare përmes NATO-s, OKB-së dhe strukturave të tjera. Ai tha se Tirana synon të mbështesë krijimin e kushteve për stabilitet, mbrojtjen e dinjitetit të popullsisë së Gazës dhe krijimin e një perspektive politike të qëndrueshme në rajon.
Përmasat konkrete të angazhimit shqiptar janë bërë pjesërisht publike më herët. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kishte deklaruar se Shqipëria do ta nisë pjesëmarrjen në Gaza me katër oficerë shtabi, në kuadër të forcës ndërkombëtare stabilizuese. Kështu, vendi hyn zyrtarisht në një nga angazhimet më të ndjeshme ndërkombëtare të momentit në Lindjen e Mesme.