Lidhje


Përgjimi që ndez alarmin: Ron Yeffet përmend gazetarin që e denoncoi

 

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj publikoi gjatë emisionit “Çim Peka LIVE” disa fragmente audio që, sipas tij, lidhen me një skemë të dyshuar të përdorimit të fondeve dhe aseteve publike, si edhe me aktivitet në tregtinë ndërkombëtare të armëve. Në qendër të materialeve të publikuara Ahmetaj vendosi biznesmenin Ron Yeffet, si dhe atë që ai e përshkruan si “koncepti KAYO”.

 

Në një prej fragmenteve të transmetuara përmendet edhe gazetari investigativ Julian Hoxhaj dhe emisioni “Plug”. Në material, personi që Ahmetaj e identifikon si Yeffet dëgjohet duke iu referuar një emisioni të realizuar për të dhe duke përmendur emrin e Hoxhajt. Edhe media të tjera vendase kanë raportuar sot të njëjtin fragment audio.

 

Pas publikimit të regjistrimit, Hoxhaj reagoi në rrjetet sociale duke e lidhur përmendjen e emrit të tij me investigimet që “Plug” kishte transmetuar më herët për aktivitetin e Yeffet në Shqipëri. Sipas gazetarit, emisioni kishte trajtuar pretendime që lidhen me industrinë ushtarake, kontratat me strukturat shtetërore dhe marrëdhëniet e biznesmenit me aktorë të ndryshëm publikë dhe privatë.

 

Hoxhaj e interpretoi përmendjen e tij në bisedën e regjistruar si një formë presioni dhe deklaroi se do të vazhdojë punën investigative. Deri tani, megjithatë, nuk është bërë publike një ekspertizë e pavarur që të certifikojë autenticitetin, integritetin dhe kontekstin e plotë të regjistrimeve, ndërsa pretendimet për trafik armësh dhe abuzim me fondet publike mbeten akuza që kërkojnë verifikim institucional dhe hetim.

 

Reagim për përmendjen time në audiopërgjimin e Ron Yeffet

 

Të dashur miq, Mbrëmjen e të hënës, në emisionin Çim Peka Live në Syri Televizion, u publikua një audiopërgjim, ku shfaqen në bisedë biznesmeni izraelito-shqiptar Ron Yeffet dhe dy biznesmenë ukrainas. Audiopërgjimi i publikuar nga Ish-zv.Kryeministri Arben Ahmetaj, është një nga ato momente ku nuk ka më vend për diskutim mbi atë që po ndodh në Shqipëri. Sepse tashmë nuk flitet për vjedhje, korrupsion e akte korruptive.

 

Por të funksionimit të shtetit si organizatë kriminale, ku persona me rekorde botërore bëhen pjesë të trafikut të armëve e ftohen nga Edi Rama dhe qeveria shqiptare për të bërë “gjërat e këqija”. Nuk do ta bëja këtë reagim, nëse Roni do të vijonte të bënte punën e tij e unë të timen si gazetar, pjesë e emisionit Plug, duke denoncuar biznesmenin kontravers që gjeti pasurinë e shqiptarëve dhe zemërgjerësinë e Edi Ramës si mundësi për të plotësuar ëndërrën e tij për tu pasuruar në pjesën e tretë të jetës, siç ai vetë preferon ta përshkruaj veten.

 

Unë dhe emisioni Plug përmendej në tryezat e errëta të trafikut të armëve fill pas denoncimit për pasurimin e tij me paratë e shqiptarëve, në janar 2026. Emision ku u denoncua për herë të parë ajo që po ndodh sot. Mënyra sesi qeveria shqiptare po i jepte dorë të lirë biznesmenit Ron Yeffet mbi asetet e ushtrisë shqiptare, tregtinë e armëve apo dhe lidhjet që Yeffet kishte me ish-kryeagjentin e FBI, Charles Mcgonigal.

 

E bashkë me këtë të drejtë, Edi Rama e gostiste me 3 milionë euro për të filluar operacionin, shumë të cilën Ron Yeffet e nënqesh, pasi nuk i hynte në sy krahasuar me projektin që kishte nisur të zbatonte. Sërish kjo është puna e Ronit, siç e imja të denoncoj Ronin dhe Edi Ramën sa herë që në diskutim është interesi publik. Por këtë herë, miku izraelit i kryeministrit Edi Rama, ndryshoi objektiv, bashkë me diskutimet për “gjërat e këqija” në trafikun e armëve zgjodhi të merrej edhe me mua, personalisht, vetëm se bëra dhe bëj detyrën time si gazetar.

 

Çdo gazetar e ka të qartë, kur i lakohet emri si bezdisës në këto “gjëra të këqija” dhe nuk ndjehet komod, por nën presion e kërcënim nga rrjetet më të errët që njeh bota, atë të trafikut të armëve! Gjithësesi, unë do të vazhdojtë bëjë detyrën time me po të njëjtën përgjegjshmëri dhe motivimim si gazetar dhe si pjesë e ekipit të emisionit Plug në Syri TV. Siç Ron Yeffet duket se do të bëjë të tijën. Por të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe institucionet e drejtësisë, si përballë mikut izraelit të kryeministrit Edi Rama ashtu edhe për moslejimin e cenimit të mjedisit për një gazetari të pavarur e larg shantazhit!

XS
SM
MD
LG