Lidhje


Shpërthim te karburanti pranë "Brrylit": 3 të plagosur, përjashtohet shpërthimin e rezervuarëve

 

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e sotëm, 9 shtator, në një pikë karburanti EIDA në zonën e Brrylit në Tiranë. Si pasojë, një godinë njëkatëshe pranë pikës së karburantit është dëmtuar rëndë, ndërsa tre punonjës kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës. Sipas spitalit, gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

Raportimet e para flisnin për shpërthimin e një depozite karburanti, por ISHTI e përjashtoi këtë version. Nga inspektimi paraprak rezulton se rezervuarët e karburantit nuk kanë shpërthyer. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet që ndodhej brenda territorit të stacionit dhe më pas është shoqëruar me eksplozion. Ndërkohë, drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se shpërthimi është lokalizuar në zonën e zyrave dhe se në vendngjarje kishte rrjedhje gazi, e cila u ndërpre nga zjarrfikësit.

 

Policia dhe grupet teknike po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun përfundimtar të ngjarjes. Sipas raportimeve të fundit, katër persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, mes tyre administratori, punonjës dhe dëshmitarë, ndërsa pritet të verifikohen edhe protokollet e sigurisë dhe mirëmbajtjes së impiantit.

XS
SM
MD
LG