MES DREJTËSISË DHE STABILITETIT: KOSOVA PËRBALLË VERDIKTIT TË HAGËS
Sunday, 13 September 2026 16:18
Adnan Qaka
Propozimi që Thaçi të zgjidhet kryetar ishte jo i sinqertë dhe joreal.
Si mund të zgjidhet kryetar i shtetit njeriu i cili është në proces gjyqësor, i akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit? Këtë nuk e lejon as Kushtetuta e Kosovës. Sepse, edhe nëse lirohet në shkallë të parë, gjykimi kundër tij dhe të tjerëve nuk përfundon me aktgjykimin e shkallës së parë, por vazhdon procesi në shkallë të dytë, sepse Prokuroria do të ankohej.
Ajo ka kërkuar nga Gjykata dënimin me 45 vjet burgim për secilin të akuzuar dhe këtë kërkesë e ka mbështetur në provat e veta të paraqitura gjatë procedurës, të cilat Gjykata do t’i vlerësojë se a e provojnë fajësinë apo jo.
Gjithë ky budallallëk i përgatitjeve për pritjen pompoze dhe propozimi për kryetar, pa pasur asnjë siguri se do të lirohen, është një cirk folklorik. Madje, krejt ky cirk thuret ndaj njërit, e tre të tjerët nuk i përmend kush, sikur që nuk e përmend kush Salih Mustafën, të gjykuar me aktgjykim të plotfuqishëm, me 20 vjet burgim.
Me çfarë kutie i masin njerëzit, këta partiakë të panjerëz!
Ne jemi dëshmitarë se si ish-veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës premtuan se do ta destabilizojnë Kosovën nëse ajo katërshe që gjendet në Hagë dënohet. E para, ky kërcënim, në këtë kohë delikate për Kosovën, mund t’i shërbejë Serbisë që ta realizojë atë që e bëri në trazirat e marsit 2004, ku tashmë ka fakte dhe dëshmi se ndezjen e atyre trazirave e kanë bërë shërbimet sekrete serbe, bashkë me spiunë dhe bashkëpunëtorë të tyre shqiptarë.
Prandaj, duhet që në këto çaste të ketë maturi dhe unitet. Kosova duhet ta presë verdiktin ndaj kësaj katërsheje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pse nga kjo katërshe ka që kanë mohuar se kanë qenë pjesë e luftës.
Sidoqoftë, çdo skenar për destabilitetin e Kosovës do t’i shërbente mjaft Serbisë. Kosova duhet ta pranojë çdo lloj vendimi nga Gjykata Speciale. Çdo mospranim dhe radikalizim e defakorizon Kosovën.
Pretendimet se më 16 shtator kjo katërshe do të lirohet janë tejet absurde, sepse situata e tyre është tejet e ndërlikuar. Si dhe ky marsh tejet masiv që u bë sot në Prishtinë për lirimin e kësaj katërsheje të UÇK-së, mendoj se vetëm sa e dëmton këtë proces.
Është dashur shumë më herët, para se të themelohej Gjykata Speciale, që shqiptarët të protestonin masivisht në shumë qendra botërore, në Amerikë, Francë, Angli, Gjermani, Itali etj., dhe t’i bëhej me dije faktorit ndërkombëtar se Kosova nuk do ta pranonte asesi krijimin e një Gjykate Speciale, e cila u themelua me trillim, me akuza që shumë vite më parë janë dëshmuar se s’kanë bazë, pra akuzat për kinse transplantim dhe trafikim të organeve të serbëve.
Pra, Kosova është dashur ta themelonte një gjykatë vendore për dënimin e krimeve të gjenocidit serb gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, si dhe për vrasjet politike gjatë dhe pas luftës të eksponentëve me rëndësi, si nga sfera ushtarake dhe politike.
Që nga fillimi kam thënë se këtë Gjykatë mund ta quajmë “Iluzionet e Speciales”, sepse kjo Gjykatë, që është njëetnike dhe po gjykon vetëm shqiptarët, nuk do të sjellë drejtësinë e kërkuar.
Por as ata shqiptarë që kanë menduar se kjo Gjykatë do t’i dënojë vrasjet politike ndaj eksponentëve me rëndësi të jetës politike dhe ushtarake nuk duhet të krijojnë iluzione, sepse shumë pak do të sjellë atë drejtësi që është pretenduar nga disa se do ta sillte kjo Gjykatë.
Vrasjet para dhe gjatë luftës të disa minoriteteve jo-serbe dhe të shqiptarëve, duke i cilësuar disa si kinse spiunë serbë, pa fakte dhe dëshmi, janë çështje që duhet të trajtohen me seriozitet dhe mbi bazën e fakteve dhe dëshmive.
Për këtë Gjykatë kam thënë nga fillimi se nuk do t’i dënojë ata fajtorë që kanë ber krime, si dhe shumë pak do të sjellë drejtësi.
Prandaj, unë jam skeptik në lirimin e afërt të katërshe-s së UÇK-së.
Është e rëndësishme që të kuptohet se një proces gjyqësor nuk përfundon domosdoshmërisht vetëm me atë që presin apo dëshirojnë njerëzit. Procesi është i ndërlikuar dhe duhet të lihet që Gjykata ta japë verdiktin e saj.
Prandaj, pretendimet se më 16 shtator kjo katërshe do të lirohet janë tejet absurde, sepse situata e tyre është tejet e ndërlikuar.
Kosova duhet ta presë vendimin e Gjykatës Speciale dhe duhet ta pranojë çdo lloj vendimi që mund të merret prej saj.