1 euro për 90 mijë m² tokë: “koalicioni” PD-PS pas investimit 216 mln euro në Gjirin e Lalëzit
Dhjetë vjet pas tërheqjes nga një projekt i madh turistik në Gjirin e Lalëzit, “Omnix Albania” rikthehet në zonë si investitore strategjike. Kompania ishte tërhequr nga investimi i mëparshëm pasi administratori i saj i atëhershëm, Fadi Mitri, u dhunua rëndë, në një ngjarje që u lidh publikisht me konfliktin rreth projektit.
Sot struktura e pronësisë së kompanisë ka ndryshuar dhe përbëhet nga aksionerë shqiptarë. Sipas të dhënave të publikuara, 50% e kapitalit zotërohet nga “KLAR” e Shkëlqim Beshirit, ndërsa pjesë të tjera zotërohen nga “Matrix Konstruksion”, “Blessed Investment” dhe “RDA Petrol”. Këto lidhje kanë nxitur interpretime politike për një përzierje interesash të afërta me figura të së majtës dhe të së djathtës.
Qeveria i ka vënë kompanisë në dispozicion rreth 90,030 metra katrorë tokë shtetërore, me tarifën simbolike prej 1 euroje, për realizimin e një investimi turistik në Gjirin e Lalëzit. Kompania kishte marrë më herët, në korrik 2022, statusin “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë”.
Projekti parashikon një resort luksoz në një sipërfaqe prej më shumë se 237 mijë metra katrorë, me hotel me pesë yje, park rezidencial, bulevard, park ujor, klub plazhi dhe ambiente të tjera turistike. Vlera e parashikuar e investimit është rreth 216 milionë euro, ndërsa realizimi pritet të shtrihet në një periudhë pesëvjeçare.
Thelbi politik dhe ekonomik i çështjes mbetet rikthimi i një kompanie që një dekadë më parë u largua nga Shqipëria pas një konflikti të rëndë, ndërsa sot rikthehet me status strategjik, me një strukturë të re aksionerësh shqiptarë dhe me dhjetëra mijëra metra katrorë pronë shtetërore të vëna në dispozicion me tarifë simbolike.