Lidhje


“Festivali i Fëmijëve” apo predikim ungjillor? Pyetjet që ngre aktiviteti para Bashkisë Shkodër…

Nga Shkelqim Malevija

 

A është e moralshme kjo mënyrë?

Sot, para Bashkisë Shkodër, qytetarët dhe sidomos familjet me fëmijë u ftuan në atë që u reklamua si “Festivali i Fëmijëve” dhe “Shpresa Fest – një vend për të gjithë familjen”

 

Muzikë, klounë, argëtim, shorte dhe dhurata: biçikleta, telefona, PlayStation, MacBook, Smart TV… Por në broshurat e shpërndara nuk evidentohet organizatori dhe as karakteri fetar/misionar i aktivitetit.

 

Pasi njerëzit u mblodhën, nisi muzika dhe u shpërndanë dhuratat e para, aktiviteti kaloi në dramë dhe predikim ungjillor për Jezu Krishtin, nga përfaqësues të Global Ventures.

Të jemi të qartë: është e drejta e secilit të besojë, të ushtrojë dhe të predikojë fenë e vet. E respektojmë plotësisht këtë të drejtë.

 

Por pse të mos thuhet troç dhe shkoqur që në ftesë?

Nëse organizatori është Global Ventures, pse nuk shkruhet? Nëse aktiviteti përmban predikim ungjillor, pse nuk thuhet? Pse të tërhiqen fëmijë e familje me dhurata dhe argëtim, pa u treguar qartë se çfarë aktiviteti do të zhvillohet?

 

Akoma më problematik është fakti që gjithçka zhvillohet në sheshin para Bashkisë, duke krijuar natyrshëm përshtypjen e një aktiviteti të organizuar ose të mbështetur prej saj. Posterët kanë qenë publikisht të ekspozuar edhe në qendër të qytetit dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga institucionet.

 

Respektojmë çdo fe dhe çdo besim. Por respekt kërkojmë edhe për qytetarët. Mos na ftoni për një gjë dhe, pasi të mblidhen fëmijët e familjet, të na servirni një tjetër.

Dhe në fund, kjo situatë ngre edhe një pyetje tjetër: a ka lidhje ky aktivitet me faktin që Festa e Birrës, e zhvilluar prej vitesh para Bashkisë, këtë vit u spostua në sheshin në krah të Xhamisë Ebu Beker?

 

Bashkia Shkodër duhet të sqarojë kush e kërkoi sheshin, kur e kërkoi, çfarë aktiviteti deklaroi dhe çfarë aktiviteti autorizoi Bashkia.

Liria e besimit është e shenjtë. Por edhe transparenca dhe respekti ndaj qytetarëve janë të panegociueshme.

XS
SM
MD
LG