Mediat serbe nisin ‘festën’ pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së: Fajtorët u dënuan!
Mediat serbe i kanë kushtuar vëmendje të gjerë aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Në titujt e tyre bie në sy përdorimi i një gjuhe të fortë dhe, në disa raste, cilësime të drejtpërdrejta për UÇK-në dhe ish-krerët e saj. Aktgjykimi i sotëm i shkallës së parë i dënoi të katër për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan sipas standardit të kërkuar nga gjykata.
B92 e hap raportimin me titullin:
“Reshje aktgjykimesh: Thaçi – fajtor; Veseli – fajtor; Krasniqi – fajtor; Selimi – fajtor; udhëheqësve të UÇK-së 25 vjet burg.”
Media thekson se Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Kurir përdor një titull dukshëm më të ashpër:
“Aktgjykimi ndaj udhëheqësve të UÇK-së kriminale, të katër fajtorë për krime lufte: Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit nga 25 vjet burg! Veselit 18, Selimit 13!”
Në tekst, Kurir përsërit se të katër janë shpallur fajtorë për krime lufte dhe jep dënimet përkatëse: Thaçi 25 vjet, Krasniqi 25, Veseli 18 dhe Selimi 13 vjet burgim. Media serbe veçon gjithashtu pretendimin e aktakuzës se krimet kanë prekur rreth 407 të ndaluar, prej të cilëve të paktën 102 janë vrarë.
Blic e vendos në qendër të titullit dënimet:
“Hashim Thaçi dhe Krasniqi dënohen me 25 vjet burg, Veseli me 18! Haga shpalli aktgjykimet ndaj udhëheqësve të UÇK-së.”
Në raportim thuhet se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë dënuar në Hagë, duke veçuar veçanërisht dënimin 25-vjeçar të Thaçit. Blic përmend gjithashtu atmosferën rreth gjykatës në Hagë: përkrahësit e të akuzuarve kishin qëndruar gjatë natës pranë gjykatës me flamuj dhe pankarta të UÇK-së, ndërsa policia kishte shtuar masat e sigurisë. Media i referohet gjithashtu interesimit të madh të gazetarëve për procesin.
Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së janë gjykuar në Hagë për akuza që përfshijnë përndjekje, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruara gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Çështja është veçanërisht e ndjeshme për shqiptarët e Kosovës, shumë prej të cilëve e konsiderojnë Thaçin dhe UÇK-në si simbole të rëndësishme të luftës për pavarësinë e Kosovës.