Kroacia reagon pas dënimit të Thaçit: Vendimi nuk ndryshon kontekstin e luftës në Kosovë, Tirana ende hesht
Ministria e Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të dhënë në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ndërsa Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e drejtuar nga Ferit Hoxha, ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar.
Sipas raportimeve në mediat kroate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Kroacisë ka deklaruar se “e merr në dijeni” vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Thaçit, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim ende jo të formës së prerë.
Në reagim, Zagrebi nënvizon se ky aktgjykim “nuk e ndryshon kontekstin e luftës”, një formulim që ndan qartë procesin penal individual nga interpretimi politik dhe historik i luftës së Kosovës.
Në këtë pikë bie në sy heshtja e Tiranës zyrtare. Deri tani, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, nuk ka reaguar publikisht për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa homologu i tij kroat ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të qartë institucional: vendimi merret në dijeni, por nuk rishkruan kontekstin e luftës së Kosovës.
Gjykata Speciale në Hagë dënoi sot Hashim Thaçin me 25 vite burg për krime lufte, përfshirë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Në të njëjtën çështje janë dënuar edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të pandehurit kanë mohuar akuzat dhe vendimi mund të apelohet.
Reagimi i Kroacisë vjen në një moment kur aktgjykimi ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, ku shumë e shohin procesin si goditje ndaj figurave kryesore të luftës, ndërsa gjykata ka këmbëngulur se çështja lidhet me përgjegjësi individuale dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së.