Lidhje


Vendimi i Gjykatës speciale- Laura Kertalli

 
Përkëdhelja që Europa i bën Serbisë nuk duhet të na shtyjë drejt krijimit të një hendeku në bashkëpunimin me ndërkombëtarët, por drejt një leximi më të përgjegjshëm dhe më kritik të çdo vendimi që prek sovranitetin e Shqipërisë dhe të Kosovës, sidomos kur ndërmjetësues janë vetë ata.
 
 
Përmbushja e profecisë së Albin Kurtit nuk ngazëllen asnjë prej simpatizantëve të tij; përkundrazi, trishton një popull të tërë, të gjendur përballë një paturpësie të tillë.
 
 
Drejtësia e humbet autoritetin moral kur shkëputet nga konteksti në të cilin kanë ndodhur ngjarjet. Ajo nuk mund të ndërtohet mbi harresën historike dhe as mbi barazimin e viktimës me agresorin.
 
Kështu, sipas logjikës së ndjekur në Hagë, Gjykata Speciale nuk mund të jetë e drejtë. “Specialiteti” i saj, në këtë rast, ka qenë njollosja e luftës së UÇK-së dhe baltosja e një prej elementeve përbërëse të kujtesës kolektive historike të shqiptarëve, por edhe dëmtimi i autoritetit të tyre në botë.
 
Naim Frashëri shkruan:
 
“Do të ish sot Shqipëria,
Që ta merr botën zilia.
 
Po të shkuarat i lerë,
E mso mënt për tjatër herë!
 
Se në ndënçim t’pamësuar,
Kështu kemi për të vuar.
 
Është turp për farën tënë,
Të mos nxjerim fare zënë!
 
Duke patur burra trima,
Të umbasë si vetëtima?
 
Ah! Mos! Zoti mos e dhëntë!
Ejani, të mbledhim mëntë!”
 
Dhe, me të vërtetë, duhet të mbledhim mendtë.
 
Shqipëria duhet të artikulojë qartë dhe të punojë në drejtim të nacionalizmit dhe të Bashkimit Kombëtar. Një popull jetim në shtetin e vet dhe një shtet jetim në Europë duhet ta gjejnë forcën te potencialet e tij, për t’u shndërruar në faktor në Ballkan dhe për të rifituar, në mënyrë dinjitoze, autoritetin e merituar, por të mohuar.
 
 
Kjo mund të arrihet edhe nëpërmjet urave të komunikimit me ndërkombëtarët dhe aleancave të bashkëpunimit, por jo nëpërmjet marrëveshjeve të varësisë që tradhtojnë interesin kombëtar.
 
 
Edhe pse imagjinata ime zor se e rrok mundësinë që ata ta tentonin; përpjekja për ta realizuar nuk duhet t’u lihet në dorë aktorëve aktualë të politikëbërjes, të cilët e kanë dëshmuar fëlliqësinë e tyre antishqiptare duke votuar në favor të kësaj gjykate.
 
 
Ata duhet të japin dorëheqjen dhe të largohen nga çdo platformë prej së cilës mund të japin mend apo të marrin vendime: që nga ky që sot thërret “marre”, por nuk ia thotë vetes; te pleqëria që mashtron se ka qenë kundër Gjykatës; e deri te vetë politikanët shqiptarë të Kosovës, tradhtarët e luftës së UÇK-së, të cilëve, në fund, nuk u dolën mirë llogaritë.
 
Nga Laura Kertalli 
XS
SM
MD
LG