Lidhje


Dializa në alarm: Vjen denoncimi i fortë për koncesionin e Allajbeut gylenist

 

Një pacient që kryen trajtimin e dializës në Spitalin “Hygeia” ka denoncuar në redaksinë tonë kushtet në të cilat, sipas tij, ofrohet shërbimi, duke kërkuar që situata të bëhet publike dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse. Në mesazhin e dërguar, ai ngre shqetësime për temperaturën në ambientet e repartit, higjienën, gjendjen e krevateve, funksionimin e aparaturave dhe kujdesin e personelit ndaj pacientëve.

 

Sipas denoncimit, në repart janë mbajtur ndezur aspiratorët, ndërsa pacientët janë përballur me temperatura të ulëta gjatë trajtimit. Qytetari pretendon se, kur disa prej tyre janë ankuar për të ftohtin, përgjigjja që kanë marrë ka qenë se “të ftohtit nuk pyet”. Ai ngre gjithashtu shqetësime për pastërtinë e ambienteve, duke deklaruar: “Këtu higjiena ka mbaruar”, dhe kërkon që kushtet të inspektohen drejtpërdrejt nga autoritetet.

 

Pacienti pretendon se edhe një pjesë e krevateve janë të amortizuara dhe të papërshtatshme për persona që duhet të qëndrojnë për orë të tëra gjatë seancave të dializës. Probleme, sipas tij, ka edhe me aparaturat, disa prej të cilave dyshohet se kanë pasur defekte prej kohësh pa u zgjidhur plotësisht. Në denoncim kritikohet edhe mënyra e ofrimit të shërbimit nga personeli, me pretendimin se në raste të caktuara pacientëve nuk u kushtohet vëmendja e nevojshme.

 

Në mesazhin e tij, qytetari i drejtohet edhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që gjendja në spitale të verifikohet në terren: “O Edi Rama, spitalet shikoji, jo fol në ajër. Shikoji nga afër. Në dializë nuk ka atë lloj shërbimi dhe rregulli”. Ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të kontrolluar standardet e higjienës, aparaturat, kushtet fizike të repartit dhe kujdesin që u ofrohet pacientëve.

 

Dializa është një trajtim jetik për pacientët që varen rregullisht prej saj, ndaj çdo pretendim për mangësi në kushtet apo cilësinë e shërbimit kërkon verifikim të plotë institucional. Në rastin e Spitalit “Hygeia”, denoncimi ngre pikëpyetje edhe mbi mbikëqyrjen e shërbimit të dializës dhe përgjegjësitë e operatorit që e administron atë. Pretendimet e pacientit mbeten për t’u verifikuar dhe kërkojnë një përgjigje nga drejtuesit e spitalit dhe institucionet shtetërore përgjegjëse.

XS
SM
MD
LG