Vdekja e ish-bashkëshortes së Alban Hoxhës/ Gjykata e Lartë vulos dënimin për dy mjekët
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit për dy mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të shpallur fajtorë për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” në çështjen e vdekjes së Doriana Hakës, ish-bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha.
Kolegji Penal vendosi të mos pranonte rekursin e paraqitur nga Elona Burba kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Sipas arsyetimit të raportuar nga mediat, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se argumentet e Apelit për përgjegjësinë penale janë rezultat i një analize të kujdesshme dhe se nuk janë konstatuar shkelje të ligjit material apo procedural.
Burba ishte dënuar me 1 vit burgim, dënim i konvertuar në dy vite shërbim prove, si dhe me heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit të mjekut për dy vite. Petrit Rexhepi ishte dënuar me 6 muaj burgim, të konvertuar në një vit shërbim prove.
Rasti lidhet me vdekjen e Doriana Hakës në nëntor 2014, rreth dy javë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë. Sipas ekspertizës mjekoligjore të cituar gjatë procesit, pacientes nuk i ishin kryer analizat dhe konsultat e nevojshme përpara ndërhyrjes, të cilat mund të kishin evidentuar problemet e saj shëndetësore dhe të mundësonin trajtimin përkatës.
Me mospranimin e rekursit, mbetet në fuqi vendimi i Apelit dhe dënimi i dhënë ndaj dy mjekëve.