U shty nga revoltat studentore/ Kuvendi mblidhet sot në 10:00
Pas shtyrjes së seancës së kaluar, deputetët do të mblidhen sot, në orën 10:00, në seancën plenare, në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, pas revoltave studentore. Në fokus pritet të jetë situata e krijuar në vend, pasi në pikën e tretë të rendit të ditës është parashikuar një interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo. Kjo interpelancë është kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelanca pritet të rikthejë në qendër të debatit parlamentar menaxhimin e protestave, veprimet e Policisë së Shtetit dhe përplasjet e ashpra gjatë ditëve të fundit. Përveç interpelancës me ministrin Demo, në rendin e ditës janë edhe dy interpelanca me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e sotme do të shqyrtohen edhe disa projektligje, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Kryeministri Edi Rama nuk pritet të jetë pjesë e seancës së sotme plenare, pasi ndodhet në Budva, Mal i Zi, për një takim zyrtar. Vëmendja pritet të përqendrohet te debati parlamentar dhe veçanërisht te interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, në një kohë kur vendi ndodhet nën tensionin politik të krijuar pas protestave.
Rendi i ditës i seancës plenare:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit,
bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025".
8. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit
kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen
veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar".
9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave»»
10. Projektligji "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit".
11. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e
tjera të lidhura me to", të ndryshuar".
12. Projektligji "Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale".
13. Projektvendim "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë".
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e
anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.