Lidhje


Alarmante në Kosovë: Çdo ditë 10 persona diagnostikohen me kancer, mbi 3,700 raste të reja brenda vitit!

 

Shifra shqetësuese janë publikuar për rastet me kancer në Kosovë. Sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, që do të thotë se mesatarisht 10 persona në ditë janë diagnostikuar me këtë sëmundje.

 

Krahasuar me vitin 2012, kur ishin raportuar 1,588 raste, numri i rasteve të reja të regjistruara është më shumë se dyfishuar.

Sipas të dhënave, nga rastet e reja, 1,927 janë gra dhe 1,848 burra. Te gratë, kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri, me 592 raste, prej të cilave 206 janë diagnostikuar te gratë nën moshën 50-vjeçare.

 

Edhe më shqetësues është fakti se kjo sëmundje nuk po kursen as fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2025, në Kosovë janë diagnostikuar me kancer 52 fëmijë dhe adoleshentë deri në moshën 19-vjeçare, mesatarisht një rast në javë.

 

Te burrat, ndër format më të shpeshta janë kanceri i mushkërive dhe ai i fshikëzës urinare, ndërsa duhanpirja konsiderohet një nga faktorët kryesorë të rrezikut.

Ekspertët theksojnë se duhanpirja, ndotja e ajrit, faktorët gjenetikë dhe mënyra e jetesës mund të ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të kancerit.

 

Megjithatë, një pjesë e rritjes së rasteve të raportuara mund të lidhet edhe me përmirësimin e diagnostikimit dhe raportimit. Sipas raportit, jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rastet, prandaj shifrat mund të mos pasqyrojnë plotësisht situatën reale.

Këto të dhëna rikthejnë vëmendjen te rëndësia e kontrolleve të rregullta shëndetësore, diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjeve malinje në Kosovë.

XS
SM
MD
LG