Patentat/ Procedurë e re për kontrollin mjekësor, si do të merret dhe rinovohet leja e drejtimit
Ndryshon procedura e kontrollit mjekësor për qytetarët që aplikojnë për marrjen ose rinovimin e patentës. Dokumentacioni shëndetësor do të plotësohet dhe nënshkruhet elektronikisht nga mjekët, ndërsa rezultatet do t’i kalojnë drejtpërdrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Qytetarët do ta marrin dokumentin përfundimtar elektronik nëpërmjet platformës e-Albania.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka miratuar udhëzimin nr. 644, datë 2 shtator 2026, të publikuar në Fletoren Zyrtare të 4 nëntorit, i cili përcakton një procedurë të re për kontrollin mjekësor të personave që aplikojnë për leje drejtimi të mjeteve motorike.
Ndryshimi kryesor lidhet me digjitalizimin e të gjithë procesit të vlerësimit mjekësor, nga kontrolli fillestar te mjeku i familjes, deri te vizitat te specialistët dhe, kur është e nevojshme, vlerësimi nga Komisioni Mjekësor.
Udhëzimi zbatohet për personat që kërkojnë të pajisen për herë të parë me patentë, për ata që kërkojnë rinovimin e saj, si dhe për drejtuesit ekzistues që duhet t’i nënshtrohen verifikimit të aftësive fizike dhe psikike për drejtimin e automjeteve.