“Marrëzi!”, tha Rama - INSTAT e nxjerr zbuluar: Mbi 50 mijë banesa të pabanuara në Shqipëri!
Kryeministri Edi Rama është përballur me një përgënjeshtrim nga statistikat zyrtare të shtetit shqiptar, pasi mohoi publikisht ekzistencën e 50 mijë apartamenteve bosh në Shqipëri. Gjatë një interviste për Channel 5, gazetari amerikan Andrew Callaghan e pyeti për rreth 55 mijë apartamentet e pabanuara në Tiranë, por Rama e cilësoi pretendimin si një absurditet.
“55 mijë çfarë? Ka 55 mijë apartamente bosh? Kjo është një tjetër marrëzi. Nga vjen kjo shifër? Nuk ekziston një gjë e tillë si 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri. Është e pakuptimtë”, deklaroi kryeministri.
Por të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, të publikuara nga INSTAT, tregojnë një realitet krejt tjetër. Vetëm në Bashkinë e Tiranës rezultojnë 52.871 banesa të pabanuara, nga 245.458 banesa të zakonshme gjithsej. Ndërkohë, në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar 356.204 banesa të pabanuara, ose 32,9% e totalit, çka do të thotë se afërsisht një në tri banesa nuk kishte banorë në momentin e regjistrimit.
Pas verifikimeve të kryera nga organizata Faktoje, INSTAT konfirmoi se klasifikimi i banesave të pabanuara ishte mbështetur në kontrolle në terren, me të paktën tri tentativa kontakti dhe verifikime shtesë nga anketuesit e mbikëqyrësit. Institucioni sqaroi gjithashtu se Censi nuk kishte përcaktuar arsyet e mosbanimit, ndërsa të dhënat e vitit 2023 mbeten numërimi i fundit i plotë zyrtar për këtë tregues.
Përballë këtyre shifrave, deklarata kategorike e Ramës rezulton në kundërshtim të drejtpërdrejtë me statistikat e institucionit shtetëror. Organizata Faktoje e ka klasifikuar deklaratën e kryeministrit si “të pavërtetë”.