Lidhje


Sot seanca e radhës për Erion Veliajn, GJKKO pritet të vendosë edhe për kërkesën për operacion në Tiranë

 

Këtë të martë, në orën 10:00, mbahet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Avokati i tij, Plarent Ndreca pritet të paraqesë kërkesat paraprake lidhur me procesin. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë edhe kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital të kryeqytetit, të zgjedhur prej tij. Veliaj ka refuzuar të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale në Spitalin Memorial të Fierit, të përcaktuar nga Drejtoria e Burgjeve, duke kërkuar që trajtimin për dëmtimin në këmbë ta marrë në Tiranë.

 

Për shkak të gjendjes shëndetësore, kryebashkiaku pritet të mungojë edhe në seancën e sotme. Në mbledhjen e mëparshme, ai kërkoi shtyrjen e gjyqit për shkak të pamundësisë për të qenë fizikisht i pranishëm, por kërkesa nuk u pranua nga trupa gjykuese. Prokurori i posaçëm Ols Dado kundërshtoi pretendimet për pamundësinë e pjesëmarrjes, duke sjellë në vëmendje kërkesën që vetë Veliaj kishte bërë për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste më 14 nëntor. Pas rrëzimit të kërkesës për shtyrje, seanca e mëparshme vijoi në mungesë të kryebashkiakut.

XS
SM
MD
LG