Lidhje


Reforma Zgjedhore në udhëkryq! Venecia zbarkon në Tiranë, PS dhe PD përballë afatit të fundit!

 

Komisioni i Venecias ndërhyn me ekspertizë në procesin e Reformës Zgjedhore në Shqipëri, vetëm pak ditë përpara përfundimit të mandatit të komisionit parlamentar. Më 25 nëntor, dy ekspertë ndërkombëtarë pritet të mbërrijnë në Tiranë, pas ftesës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të shqyrtuar projektligjin për financimin e partive politike dhe përfshirjen e rekomandimeve europiane në të.

 

Vizita vjen në një moment vendimtar për negociatat mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat kanë kërkuar asistencën e Venecias për financimin politik. Ndërkohë, bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi i janë drejtuar OSBE/ODIHR-it për ekspertizë mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në diskutim janë edhe propozimet e opozitës për ndarjen e shtetit nga partitë politike, një prej çështjeve më të debatuara të reformës.

 

Koha po mbaron për socialistët dhe demokratët. Mandati aktual i Komisionit të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor, vetëm pesë ditë pas mbërritjes së ekspertëve të Venecias. Nëse palët nuk arrijnë kompromis apo nuk shtyjnë afatin, procesi rrezikon të mbetet pa një marrëveshje politike për ndryshimet zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

XS
SM
MD
LG