Shqipëria kryeson botën në rritjen e përqindjes së myslimanëve, deri në 90,3% në vitin 2070
Shqipëria pritet të regjistrojë rritjen më të madhe në botë të përqindjes së popullsisë myslimane gjatë gjysmës së ardhshme të shekullit, sipas studimit të ri të institutit amerikan Pew Research Center, i cili analizon zhvillimet demografike dhe fetare në 201 vende e territore. Sipas projeksioneve, përqindja e myslimanëve në Shqipëri do të rritet nga 74,5% në vitin 2020 në 90,3% në vitin 2070, ndërsa ajo e të krishterëve parashikohet të zbresë nga 17,8% në 8,5% dhe e personave pa përkatësi fetare nga 7,7% në 1,1%.
Pas Shqipërisë, rritjen më të madhe të përqindjes së myslimanëve parashikohet ta regjistrojnë Nigeria, Suedia, Maqedonia e Veriut dhe Franca. Nga 31 vendet ku pritet një rritje e konsiderueshme e peshës demografike të myslimanëve, 21 ndodhen në Europë, ku përqindja e popullsisë myslimane parashikohet të rritet nga 6% në 13% deri në vitin 2070.
Në shkallë botërore, Islami parashikohet ta tejkalojë Krishterimin si feja me numrin më të madh të besimtarëve që në vitin 2035. Deri në vitin 2070, numri i myslimanëve pritet të arrijë në 3,6 miliardë, kundrejt rreth 3 miliardë të krishterëve. Studiuesit e lidhin këtë zhvillim kryesisht me moshën mesatare më të re të popullsisë myslimane, lindshmërinë më të lartë, migracionin dhe shkallën e lartë të ruajtjes së përkatësisë fetare ndër breza.
Megjithatë, projeksioni për Shqipërinë nuk nënkupton rritje të numrit absolut të myslimanëve, pasi popullsia e përgjithshme e vendit parashikohet të tkurret ndjeshëm. Gjithashtu, bëhet fjalë për një model demografik afatgjatë dhe jo për një rezultat të sigurt.