Lidhje


Spiropali përjashtohet nga grupi parlamentar, Braçe dhe Çuçi nuk mbështesin vendimin!

 

Elisa Spiropali është përjashtuar edhe nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, pas vendimit të marrë në mbledhjen e socialistëve këtë të martë, më 24 nëntor. Propozimi u hodh në votim nga kreu i grupit, Taulant Balla, ndërsa Erion Braçe dhe Bledi Çuçi ishin dy deputetët që abstenuan. Në mbledhje nuk ishin të pranishëm as Spiropali dhe as kryeministri Edi Rama.

 

Sipas raportimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, nuk është paraqitur një arsye konkrete për përjashtimin. Blendi Klosi ka argumentuar se vendimi ishte marrë në Asamblenë e 14 nëntorit, kur Spiropali u largua nga forumet drejtuese të PS-së. Ndërkohë, Taulant Balla deklaroi se përjashtimi është kryer në përputhje me statutin dhe rregulloren e partisë, duke pranuar se i vjen keq për këtë vendimmarrje.

 

Vendimi vjen pas kritikave të forta publike të Spiropalit ndaj modelit të drejtimit të Edi Ramës, të cilin e ka akuzuar për personalizim ekstrem të pushtetit dhe mungesë të demokracisë së brendshme. Spiropali ruan mandatin e deputetes, por mbetet jashtë grupit socialist, ndërsa numri i deputetëve të këtij grupi zbret në 81, nga 83 mandatet e fituara në zgjedhjet e vitit 2025, pas largimit të mëparshëm të Marjana Koçekut.

XS
SM
MD
LG