Balla vihet në siklet për Spiropalin: “Më vjen keq!”, por nuk tregon pse u përjashtua!
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas përjashtimit të Elisa Spiropalit, duke shprehur keqardhje për vendimin, por pa bërë publike shkeljen konkrete që çoi në largimin e saj. “Pas 9 vitesh në grupin parlamentar, mua më vjen shumë keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje”, deklaroi Balla për gazetarët, këtë të martë, më 24 nëntor.
Balla këmbënguli se përjashtimi është kryer në përputhje me statutin e Partisë Socialiste dhe rregulloren e grupit parlamentar, duke iu referuar posaçërisht nenit 28. Ai sqaroi se vendimi ishte marrë më parë në Asamblenë Kombëtare të PS-së dhe ishte njoftuar në mbledhjen e sotme të deputetëve socialistë.
Megjithatë, i pyetur për arsyet e përjashtimit dhe bazën konkrete të vendimit, Balla nuk dha shpjegime të hollësishme, duke i cilësuar këto si çështje të organizimit të brendshëm të partisë. Ai njoftoi se dokumentacioni përkatës do t'i vihet në dispozicion Kuvendit. Reagimi vjen pas largimit të Spiropalit nga grupi socialist, në një kohë kur marrëdhëniet e saj me drejtimin e PS-së janë tensionuar pas kritikave publike ndaj mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës.