Lidhje


Fundi i parajsës së mafies në Dubai? Emiratet u dorëzojnë drejtësisë shqiptare 16 të kërkuar!

 

Dubai po humbet statusin e strehës së sigurt për eksponentët e krimit të organizuar ndërkombëtar. Sipas gazetave The Wall Street Journal dhe Corriere della Sera, autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë intensifikuar arrestimet, ekstradimet dhe sekuestrimin e pasurive të dyshuara kriminale, duke i dhënë fund gradualisht tolerancës së dikurshme ndaj personave të kërkuar nga drejtësia.

 

Që prej vitit 2024, Emiratet kanë dorëzuar të paktën 28 persona drejt Francës, 23 drejt Belgjikës dhe 16 drejt Shqipërisë. Mes emrave më të njohur të kthyer përpara drejtësisë shqiptare janë Plarent Dervishaj, Florenc Çapja, Denis Bajri dhe Durim Bami. Në nivel ndërkombëtar, një prej rasteve më të bujshme ishte ekstradimi në gusht i irlandezit Daniel Kinahan, i akuzuar për drejtimin e një organizate kriminale ndërkombëtare.

 

Sipas mediave ndërkombëtare, ndryshimi i politikës së Emirateve lidhet me presionin kundër pastrimit të parave, interesat ekonomike dhe përpjekjet për të siguruar mbështetje diplomatike ndërkombëtare. Vetëm në tetor, një operacion ndërkombëtar i drejtuar nga Emiratet rezultoi në mbi 960 arrestime dhe identifikimin e fondeve e aseteve të paligjshme me vlerë 39 miliardë dollarë.

 

Megjithëse Dubai vazhdon të strehojë persona të kërkuar ndërkombëtarisht, raportimet tregojnë se siguria e dikurshme e tyre po lëkundet. Për drejtësinë shqiptare, ky zhvillim krijon mundësi jo vetëm për arrestimin e të arratisurve, por edhe për gjurmimin e kapitalit të dyshuar kriminal.

XS
SM
MD
LG