Lidhje


Spitalet e mëdha në Gjermani në kufijtë e kolapsit financiar

Shumë spitale të vogla gjermane janë në rrezik për ekzistencën. Por edhe klinikat e mëdha universitare luftojnë me probleme të mëdha financiare. Para reformës situata e sektorit spitalor në Gjermani paraqitet e vështirë.

 

Gjendja financiare e shumë spitaleve gjermane nuk është e mirë: Në protokollin e një takimi të brendshëm në Klinikën Universitare Regensburg, UKR situata financiare e spitalit përshkruhet si para falimentimit dhe është vetëm garancia e partnerit, landit federal bavarez që e shpëton atë nga falimentimi. "Për shkak të...deficiteve të shqetësueseve të krijuara në planin aktual ekonomik 2024-2028 të kujdesit të veprohet me urgjencë." Deficiti i ardhur për vitin 2024 shkon në shumë prej 45 milionë euro.

 

Rreziqet e klinikave

 

E pyetur më vonë Klinika Universitare e Regensburgut e relativizoi këtë shifër. Drejtori i UKR, Oliver Kölbl tha se ai ishte një skenar rreziku i bërë me vetëdije, "pra një skenar i rastit më të keq". Klinika ka llogaritur, si do të ishte gjendja e saj, nëse bashkohen disa rreziqe; kosto të larta energjie edhe më tej, mungesa e rifinancimit të rritjes së tarifave, rënia e numrit të pacientëve dhe rritja e kostove të përgjithshme materiale. Skenarë të tillë rreziku nuk janë të pazakontë. Kölbl sqaron se ka edhe një skenar realist: në të llogaritja del me një minus prej 3 milionë eurosh. Por klinika nuk përmend në protokoll skenarin realist.

 

Kölbl pranon, se me prezantimin e skenarit të rrezikut synohej të shtoheshin më tej përpjekjet për kursime në spitalin universitar të Regensburgut "Qëllimi ishte po ashtu që t'u tregojmë punonjësve, se janë të nevojshme përpjekjet e të gjitha grupeve profesionale, me qëllim që të mos arrijmë tek skenari më i keq, që të motivohen të gjithë dhe të bashkëpunojnë." Kölbl thotë se të gjithë e kanë kuptuar mesazhin.

 

Mbyllje pavionesh

 

Shembulli i klinikës universitare të Regensburgut tregon, se edhe klinikat që kanë pasur gjendje të mirë financiare janë vendosur nën presion aktualisht. Sipas Andreas Kestler, drejtor ekzekutiv i një spitali në Regensburg, "Barmherzige Brüder" po bëhet gjithnjë e më e vështirë arritja e një bilanci të ekuilibruar financiar se në vitet e kaluara. Spitali i tij duhet të mbyllte një pavion për rehabilitimin e të moshuarve për të përmirësuar situatën financiare.

 

Shpenzimet më të larta se fitimet

 

Shpenzimet për spitalet janë shtuar shumë për shkak të rritjes së çmimeve dhe kostove të personelit. Kurse kompensimi për shërbimet nuk është rritur me të njëjtin ritëm, sipas Andreas Kestler. Hendeku po thellohet gjithnjë e më shumë. Reforma e planifikuar e klinikave duhet të përmirësojë gjendjen financiare të klinikave, kërkon Kestler.

 

Një pikë tjetër e kritikave mbetet burokracia e madhe në spitalet gjermane. Kjo e rëndon edhe më tej gjendjen e klinikave. Të premten (22.03) ligji për transparencën e spitaleve u debatua në Këshillin Federal, por kritikët thonë, se ai nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar për pacientët dhe madje e shton edhe më shumë burokracinë.

 

Instituti i Spitaleve Gjermane, DKI pyet rregullisht spitalet për gjendjen ekonomike. Në sondazhin e fundit të vitit 2023, 78% e klinikave llogarisnin në vitin e kaluar me një bilanc negativ. Në sondazh u bë e qartë se spitalet e mëdha me më shumë se 600 shtretër e vlerësojnë shumë keq situatën e tyre. Për vitin 2024 tre nga katër spitale të tilla presin keqësim të gjendjes.

 

Klinikat po përpiqen të kursejnë. Klinika Universitare e Regensburgut psh. po përpiqet të ulë më tej kostot e energjisë dhe materialeve. Drejtori mjekësor, Kölbl pranon se ka kursime edhe tek personeli. Që vitin e kaluar vendosëm të rrisim numrin e pacientëve për infermier, thekson ai. Një vendim që sindikatat e shohin me sy kritik. Heinz Neff nga Sindikata ver.di në rajonin Obepfalz e shikon si "të papërgjegjshme" rritjen e numrit të pacientëve për infermier. Nevojitet siguri si për pacientët edhe për personelin thotë Neff. "Trajtimi i mirë, kujdesi i mirë shëndetësor ka nevojë për të pasur numrin e duhur të personelit dhe nuk mund të orientohet nga kufiri më i ulët i mundshëm." Tjetra, me shtimin e ngarkesës në punë profesioni i infermierit nuk bëhet atraktiv./Nga DW

 

 

 
XS
SM
MD
LG