Berisha shpall protestën “detyrim madhor”: Po mobilizimi i PD-së deri më sot?
Sali Berisha u ka kërkuar deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike “mobilizim total” në mbështetje të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Nga mbledhja e grupit parlamentar, kreu i demokratëve riktheu retorikën e përballjes së pakompromis me qeverinë, duke deklaruar se opozita nuk duhet të shndërrohet në dekor të asaj që ai e cilëson si “narkodiktaturë”.
“Protesta mbetet, krahas vizionit të saj dhe organizimit, detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha. Por nëse protesta është vërtet një detyrim madhor, atëherë lind natyrshëm pyetja: si është përmbushur deri më sot ky detyrim nga struktura më e madhe politike e opozitës? Dhe me çfarë rezultatesh konkrete matet suksesi i protestës që vetë Berisha e cilëson si të pamohueshëm?
Kreu i PD-së denoncoi gjithashtu dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë përpara Kryeministrisë dhe ndalimin e pedagogut Ermal Hasimja. Por solidariteti verbal me protestuesit ngre edhe çështjen e përgjegjësisë së vetë opozitës parlamentare: sa mbështetje konkrete u ka ofruar ajo qytetarëve që përballen me policinë dhe çfarë nismash institucionale ka ndërmarrë për mbrojtjen e tyre?
“Ne nuk mund të bëhemi dekor i një regjimi, por luftëtarë të pamposhtur kundër tij”, deklaroi Berisha, duke ofruar kështu edhe kriterin me të cilin mund të gjykohet aksioni politik i vetë Partisë Demokratike.
Mobilizimi total është tashmë premtimi i radhës. Mbetet për t'u parë nëse kësaj here do të shoqërohet me një angazhim konkret, përtej deklaratave nga salla e mbledhjeve të grupit parlamentar.