Ambasadori amerikan nga SPAK: “Askush mbi ligjin! Tenderët e manipuluar largojnë investitorët amerikanë!”
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, ka përcjellë një mesazh të fortë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke paralajmëruar se manipulimi i tenderëve publikë po dëmton interesat ekonomike amerikane në Shqipëri. Gjatë vizitës në SPAK, ku takoi drejtuesin Klodian Braho dhe kreun e BKH-së, Joni Keta, diplomati amerikan kërkoi zbatim të barabartë të ligjit, pavarësisht pushtetit, pozitës apo lidhjeve të personave nën hetim.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligj. Thjesht zbatojeni ligjin njësoj për të gjithë”, deklaroi Wendt, duke theksuar se drejtësia duhet të mbështetet vetëm te provat dhe jo te ndikimi politik apo statusi i individëve. Ai e përmbylli mesazhin me thirrjen “Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, duke riafirmuar mbështetjen amerikane për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Paralajmërimi më i drejtpërdrejtë lidhej me korrupsionin në prokurimet publike. “Kur një tender manipulohet, ofertuesi amerikan largohet”, deklaroi ambasadori, duke theksuar se mungesa e konkurrencës së ndershme dhe e sigurisë juridike i kushton Shqipërisë investime, vende pune dhe zhvillim ekonomik. Sipas tij, kompanitë amerikane janë të interesuara për sektorët e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe teknologjisë, por kërkojnë institucione të besueshme dhe rregulla të barabarta.
Mesazhi i Uashingtonit është i qartë: korrupsioni nuk pengon vetëm drejtësinë, por largon edhe kapitalin amerikan nga Shqipëria. Deklaratat e Wendt u publikuan nga Ambasada Amerikane më 25 nëntor, një ditë pas vizitës së tij në SPAK.