OBI dënon masakrat e kryera nga Izraeli pas zbulimit të varrit masiv
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dënoi "masakrat e tmerrshme" ndaj palestinezëve nga Izraeli pas zbulimit të një varri masiv në oborrin e Kompleksit Mjekësor "Nasser" në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, raporton Anadolu.
Në një deklaratë, OBI tha se zbulimi është një tregues se "qindra të zhvendosur, të lënduar dhe të sëmurë, si dhe autokolona mjekësore, iu nënshtruan formave të torturës dhe abuzimit përpara se të ekzekutoheshin dhe varroseshin masivisht".
OBI gjithashtu tha se e konsideron varrin masiv si provë të një "krimi lufte, një krim kundër njerëzimit dhe terrorizmit të organizuar shtetëror", duke shtuar se një vrasje masive e tillë "kërkon hetim, përgjegjësi dhe sanksion sipas ligjit penal ndërkombëtar".
"OBI përsërit thirrjen e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për nevojën për të ndaluar krimet e luftës të kryera nga pushtuesi izraelit në Rripin e Gazës dhe për të ofruar mbrojtje ndërkombëtare për popullin palestinez", thuhet në deklaratë.
Sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, të paktën 283 trupa janë nxjerrë deri më tani nga varri masiv në Kompleksin Mjekësor "Nasser" pasi ushtria izraelite u tërhoq nga qyteti më 7 prill pas një ofensive tokësore katërmujore.
Izraeli ka zhvilluar ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Të paktën 34.183 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 77 mijë të tjerë janë plagosur.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./Nga AA