Ç’ndodhi brenda SPAK/ A kanë mbaruar punë prokurorët me Veliajn?
E marta kur Erion Veliaj u paraqit për herë të parë publikisht në SPAK me sa duket nuk do të jetë as e fundit kur ai kapërcen pragun e kësaj godine. Me gjithë shtatë orët e kaluara atje, palët në deklaratat që bënë pas marrjes në pyetje, theksuan se do të kenë edhe takime të tjera. Vetë Veliaj kur doli përpara gazetarëve pohoi se “bashkëpunimi do të vazhdojë”. Burime të brendëshme i thanë Lapsi.al se tre janë çështjet kryesore që i kanë interesuar prokurorëve. Së pari ata kanë pyetur lidhur me hipotezën që Veliaj e ka mohuar shpeshehrë në publik, se me anë të shkresave dërguar për ministrat e financave Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj, ai ka qenë ose jo nismëtari i ngritjes së inceneratorit të Tiranës. Por prokurorët kanë gjetur provat shkresore.
Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP.
Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështeste idenë e tij në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë.
“…kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave për këtë nismë, e cila do të sigurojë një shërbim cilësor dhe sipas standardeve europiane për qytetarët dhe mjedisin në Tiranë,” thuhet në shkresën e kryebashkiakut Veliaj. Pra interesi i parë i prokurorëve ka qenë se sa ishte ai nismëtar i kësaj afere korruptive që deri më tani ka kushtuar mbi 100 milionë euro.
Çështja e dytë ka qenë e lidhur me shkresën e famshme, kur pasi i mohohet nga ministria e financave, Veliaj merr personalisht angazhimin financiar për ndërtimin e inceneratorit. Dhe ai nënshkruan një dokument që sështë në kompetencë të tij, por duke anashkaluar Këshillin bashkiak.
Për të kuptuar këtë duhet njohur pak historia e kësaj afere. Kompania ‘Integrated Energy BV u angazhua që do të ndërtonte djegësin e Tiranës i cili do të financohej nëpërmjet një tarife për incenerimin e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë.
Sipas të dhënave të mëvonshme që nxori Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe i mori më pas SPAK, kjo qe një ndërmarrje korruptive që do ti kushtonte publikut shqiptar tre fish më shtrenjtë. Po cili qe roli i Veliajt në këtë grabitje? Ai firmosi pa e pasur kompetencë sepse angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi u dha nga kryetari i Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill.
Pika e tretë e nxehtë për të cilën Lapsi.al ka mësuar se është folur është ajo e depozitimit të dherave, që i kanë dhënë mundësi bosëve të inceneratorëve të përfitojnë rreth 60 milionë euro shtesë nga intertet që depozitonin aty ata që hapnin gropa ndërtimi në Tiranë. Veliaj vuri në dispozicion të këtij operacioni gjithë policinë bashkiak dhe ka shkresa që tregojnë se ai i urdhëronte pronarët ‘de jure” që disa subjekte ti përjashtonin nga pagesa e tarifës.
Pikërisht për këto tre tema diskutoi mbi shtatë orë Veliaj me “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”. Kur doli nga SPAK ai tha se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve.
I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.
Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet. /Lapsi.al