Lidhje


‘Jam Taulant Balla, më duhen 100 mijë €’, del sërish në skenë Florian Gjergji! Si u mashtrua biznesmeni: I mora lekët borxh te të afërmit, ia dhashë taksistit

‘Jam Taulant Balla, më duhen 100 mijë euro’. Një tjetër skemë mashtrimi pas së cilës dyshohet se fshihet supermashtruesi Florian Gjergji është zbuluar nga policia, pre e së cilës ka rënë një biznesmen nga Librazhdi, Flamur Rrushi. Pa e menduar dy herë se pas këtij mesazhi mund të fshihej një mashtrues, biznesmeni paketoi 100 mijë eurot në një kuti këpucësh, i mbuloi me një qese të bardhë, dhe ia dorëzoi ‘mikut të Taulant Ballës’.Por më pas, Rrushi kuptoi që personi që e kishte kontaktuar nuk ishte ministri Balla, për të cilin thotë se e mik familje, dhe kështu iu drejtua policisë për kryer denoncimin.

 

Report Tv dhe Shiptarja.com ka siguruar vendimin e rastit të fundit të mashtrimit të Florian Gjergjit, ndër rastet e pakëta që skema e tij ka funksionuar duke zhvatur paratë. Më datën 1 maj, Rrushit i cili administron një subjekt për transport ndërkombëtar mallrash me xhiro vjetore rreth 1 milion euro, i mbërrin mesazhi nga ‘Taulant Balla’, ku i kërkohen 100 mijë eurot. 

 

“Jam në drekë, ma mbaron një porosi? Do kaloj një miku im andej, jepja 100 mijë euro dhe rregullohemi”, thuhej në mesazh.

 

Biznesmeni ka rënë dakord direkt dhe më pas është diskutuar për vendin e takimit. Ai është takuar me personin i cili do të merrte paratë në një spital privat në Tiranë. Taksisti Kristjano Përndoj ka marrë paratë dhe është larguar, pa zbritur nga makina.

 

Në dosje thuhet se Flamur Rrushi i mori 100 mijë eurot borxh te të afërmit e tij për t'ia dhënë Taulant Ballës dhe më pas borxhin e ka shlyer pjesërisht pasi ka tërhequr para nga banka.

 

"Shumën prej 100 000 euro deklaron se ia ka marrë borxh një të afërmi. Dhe më pas ia ka shlyer pjesërisht pasi i ka tërhequr. Deklaron se e ka mik familjar Ministrin Taulant Balla dhe ka patur një numër kontakti tjetër deklaron se me shtetasin e kallëzuar nuk ka folur me zë por vetëm me mesazhe", thuhet në dosje.

 

Një ditë më pas, 2 maj, biznesmeni ka kuptuar që është mashtruar dhe ka bërë denoncimin ne Policinë e Elbasanit. Gajtë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se me ndihmën e të afrëmeve ka kuptuar që personi me të cilin kishte komunikuar, nuk ishte numri që përdorej nga ministri Balla.

 

Më datë 3 maj, Policia ka arrestuar taksistin nga Lezha. Përveç një thike dhe disa fishekëve që iu gjetën në shtëpi, atij iu sekuestruar celulari, brenda së cilit u gjet një komunikim me rëndësi për hetimin.

 

Sipas dosjes së siguruar nga Report TV dhe Shqiptarja.com, taksisti është kontaktuar më 1 maj nga një person i paidentifikuar, i cili i ka kërkuar që të shkojë deri në Tiranë dhe të marrë një porosi. Fillimisht 32-vjeçari Përndoj është treguar skeptik duke e pyetur nëse është diçka e ligjshme, por kur ‘ai i ka ofruar 100 mijë lekë të vjetra, taksisti ka pranuar.

 

Mashtruesi: Te spitali. 100 mijë po të jap

Taksisti: O shok a është e ligjshme

Mashtruesi: Po me vlla ca thu

Taksisti: te nisem. Pra mos te humb ma kohe

 

Pasi gjithçka kishte përfunduar dhe porosia ishte në duart e Përndojt, ky i fundit i shkuan Gjergjit mesazhin në orën 22:14: Faleminderit shumë shok!

 

Megjithatë, me vendim të Prokurorisë Elbasan, Kristjano Përndoj u lirua nga arresti pasi veprat penale në ngarkim të tij nuk janë vërtetuar, përfshirë atë të mashtrimit, pasi me sa duket ka qenë vetë i mashtruar nga Florian Gjergji për të marrë sasinë e parave. Njëkohësisht edhe veprat penale për thikën dhe fishekët e gjetura në banesë bien pasi ato janë të babait të tij Ndoc Përndoj.

 

Mashtrimet e Florian Gjergjit

 

Florian Gjergji, edhe më herët ka tentuar të zhvat para nga biznesmenë të ndryshëm me të njëjtën skemë: Duke u shtirur si njerëz të pushtetit, nga Erjon Veliaj e deri tek Niko Peleshi. Në pjesën më të madhe të rasteve biznesmenët e kanë nuhatur skemën dhe njoftuan policinë, e cila ka kryer arrestime në flagrancë në momentet që do të bëhej shkëmbimi i parave. Këtë skemë e kuptuan Pëllumb Salillari, Ramë Geci, Geront Çela dhe Aleksandër Gavoçi, por jo një drejtoreshë e Vilma Nushit, e cila e besoi mashtruesin dhe i dha 50 mijë euro.

 

Florian Gjergji është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet se gjithçka e bënë nga Gjermania, por deri tani nuk është mundur të lokalizohet për t’u arrestuar dhe dhënë llogari për skemën e tij të çmendur të të shtirurit si “njeri i pushtetit” që kërkon para te biznesmen të fuqishëm./tvreport

 
XS
SM
MD
LG