Denoncimi/ Veliaj zhduk një tjetër park, miraton ndërtimin e pallatit, banorët dalin në protestë
Aktivistët e Lëvizjes BASHKË dolën në krah të banorëve të rrugës Llambi Bonata në Kombinat, të cilët protestojnë kundër ndërtimit të një pallati 7-katësh në parkun e vogël midis pallateve të tyre. Fëmijë, pleq, gra, burra, të rinj e të reja ngritën zërin e shqetësimit për zhdukjen e parkut të tyre.Me firmën e Erion Veliajt më 10 janar të këtij viti, parku me pak pemë e shumë fëmijë do t’i jepet disa ndërtuesve të cilët do të shtojnë miliona euro në llogaritë e tyre bankare në kurriz të jetës së shëndetshme urbane dhe lojës së fëmijëve të asaj lagjeje.
“Fëmijët do ta ëndërronin një hapësirë të tillë, një hapësirë ku mund të dalësh nga pallati me top e mos të të shtypë makina 50 centimetra nga dera e pallatit. Shumica dërrmuese e fëmijëve të Tiranës tashmë e kanë humbur hapësirat publike, tashmë i kanë humbur parqet. Sepse politikanët e korruptuar në bashkinë e Tiranës dhe në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, politikanë si Erion Veliaj dhe Edi Rama përfitojnë miliona, bashkë me oligarkët e ndërtimit duke e kthyer qytetin në një shesh të përhershëm ndërtimi”, -deklaroi Arlind Qori.
Ai u kërkoi banorëve që të rezistojnë ta mbrojnë këtë park, pasi bashkë me ta do të përfitojnë të gjithë fëmijët e Tiranës. Ndërsa theksoi se humbja e hapësirave publike vjen për shkak të korrupsionit në qeveritë vendore e qendrore.
“Lëvizja Bashkë” deklaroi se banorët janë të vendosur t’i bëjnë rezistencë kolektive orvatjes për t’iu rrëmbyer parkun dhe sa më gjatë të rrijë Erion Veliaj larg burgut, aq më të rrezikuara do të jenë hapësirat publike dhe parqet e fundit që i kanë mbetur Tiranës, ndaj është domosdoshmëri shoqërore që të protestojnë kundër korrupsionit dhe kapjes së Bashkisë së Tiranës nga interesat e oligarkëve dhe krimit të organizuar.
Dy ditët e fundit, mes thirrjeve “Duam parkun tonë”, dhjetëra fëmijë dhe banorë të rrugës “Llambi Bonata” protestuan kundër shkatërrimit të lulishtes së lagjes së tyre në Kombinat. Ata shprehen se prej më shumë se 20 vitesh, kjo hapësirë publike është e vetmja që kanë për të kaluar kohën e lirë si dhe për të luajtur fëmijët. Me një vendim të bashkisë Tiranë, të janarit të 2024, i është dhënë leja ndërtimit të një pallati me 5 dhe 7 kate si dhe 2 kate parkim nëntokësor.
Sipas tabelës së projektit, e cila tanimë është rrëzuar nga banorët në shenjë proteste, lulishtes i kanë dalë pronarë dhe thuhet se leja është dhënë për rrugën “Sabaudin Gabrani”, e cila ndodhet në afërsi të Misto Mames. Ndërkohë që pallati do të ndërtohet në rrugën “Llambi Bonata”.
Banorët, të cilët u mblodhën në lulishte u shprehën se në këtë zonë nuk ka vende të tjera çlodhjeje dhe argëtimi.
“Është e ardhmja këtu që po rritet, pavarësisht që mungojë kopshtet dhe lodrat dhe çdo gjë. Dhe e vetmja gjë që ka ngelur këtu duan të na e rrëmbejnë. Edhe ajrin që kemi pa lek duan të na e vjedhin. Të mendojmë për filizat që po rriten, për pensionistët që s’kanë ku të çlodhen edhe pse dy stola kanë tentuar të na venë, duke na injoruar gjithë kohës. As nuk na kanë begenisur duke ardhur të na shohin për asnjë problem që kemi ngritur zërin. Qoftë edhe për ujin edhe për çdo gjë”,- u shpreh një nga zonjat e pranishme në protestë.
Banorët mes të tjerash denoncuan edhe faktin se Kombinati është lenë me gërmadhat e pallateve të shembura për shkak të tërmetit.
“Kombinati është bërë si gërmadhë. E vetmja lulishte që ka mbetur në Kombinat duan ta prishin, ta bëjnë sic janë bërë të gjitha pallatet që janë shembur. Le të japin leje ndërtimi ku janë shembur pallatet e tjera. Pse duhet të prishin një lulishte. Ka thënë që do mbjellim 2 milionë pemë. Hajde t’i shkulim njëherë 100 pemë këtu në Kombinat dhe ti mbjellin me ndonjë vend tjetër që të bëhen 3 milionë”,- deklaroi një nga banorët./Lapsi