Lidhje


Dëshmia e Ballukut/ Kë dogji në SPAK për inceneratorin e Tiranës?

Askush nuk mund të thotë nëse Belinda Balluku luajti me përpikëri rolin që kishte parapërgatitur për veten apo vërtet qe e pushtuar nga ndonjë gaz i papërmbajtur këtë pasdite kur doli nga SPAK, por ajo mund të konsiderohet një nga njerëzit më të ngazëllyer që ka dalë ndonjëherë nga godina e prokurorisë speciale, ku u thirr për të dhënë shpjegime në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

 

Zv.kryeministrja dhe ministrja e energjisë shoqërohej nga këshilltari i saj, Florian Serjani në oborrin e prokurorisë dhe nuk e fshehu buzëqeshjen kur iu afrua gazetarëve, siç shihet nga filmimet më poshtë.

 

Për buzëqeshjen e Belinda Ballukut në dalje të prokurorisë mund të ngrihen shumë aludime, por që ajo pati një objektiv të qartë për ta ngarkuar me përgjegjësinë direkte të dhjetëra miliona eurove të “djegura”, kjo u duk nga fjalët e saj. Zv.kryeministrja tregoi se është treguar bashkëpunuese me SPAK, siç ia ka kërkuar partia… për ta respektuar drejtësinë e re, por ajo foli për “abuzime të pafalshme që kanë bërë pis të madh e të vogël.

 

“Ishte një thirrje për dosjen 255 që ka të bëjë me inceneratorin e Tiranës. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosjeje. Kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve për atë që ne e kemi folur gjithmonë, pra qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha që të zbardhet për të ndarë një herë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm” tha Balluku.

 

Deklarata që bëri zv.kryeministrja në dalje të prokurorisë lë vend për hamendësime. Kush janë të këqinjtë dhe kush janë të mirët për të cilët flet Balluku në dosjen e inceneratorëve? Kush janë ata që kanë bërë punën e ndershme dhe kush duhet të marrë përsipër abuzimet e pafalshme?

 

Kuptohet se kur flitet për inceneratorin e Tiranës titullari kryesor është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili sipas paraardhësit të Ballukut në detyrë, Arben Ahmetajt është e pronari faktit i inceneratorit.

 

Si nga mimika që shfaqi në dalje të SPAK, ashtu edhe nga deklarata për gazetarët, Belinda Balluku la të kuptohet se nuk është kursyer në informacionet që ka për këtë çështje. Në fakt, në fillim të vitit të kaluar, ajo e tha të sajën edhe me një vendim që e vuri Veliajn në një pozicion të vështirë.

 

Më poshtë është dokumenti i Ministrisë së Financave që dëshmon refuzimin e parave nga buxheti që administron qeveria për inceneratorin e Tiranës, duke e detyruar Veliajn të marrë përgjegjësitë që i takojnë.

Shkresa e Ministrisë së Financave ku pasqyrohet përgjigjia negative e Ballukut për të paguar inceneratorin e Tiranës

 

Se kush do t’i paguante miliona euro për inceneratorin e Tiranës (qeveria apo bashkia) ishte burim i konfliktit mes ish-Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakut Erion Veliaj që kërkonte nisjen e punës për një incenerator sa më parë. Kur Arben Ahmetaj këmbënguli fort, Veliaj u detyrua të marrë përsipër angazhimin financiar me firmën e tij.

 

Për këtë firmën, Erion Veliajt i duhet të japë llogari se përse e nënshkroi duke anashkaluar këshillin bashkiak të Tiranës, që u mblodh disa muaj më vonë sa për sy e faqe, pasi kontrata ishte firmosur në vitin 2017.

 

Në mbledhjen e 15 Shtatorit 2023, në sallën e Këshillit Bashkiak, Veliaj shpërtheu në të bërtitura dhe fyerje ndaj këshilltarëve të opozitës që kundërshtuan pagesën qindra miliona lekë për inceneratorin që nuk ekziston ende sot e kësaj dite.

 

“Nuk ua lë Tiranën zhulsave” bërtiste Veliaj në një moment, kur doli zbuluar, pasi me firmën e tij kishte një marrë një angazhim financiar që kishte rezultuar në një aferë korrupsioni ulëritëse.

Ish drejtori i arrestuar i ARRSH dhe ministrja Belinda Balluku

 

Pavarësisht buzëqeshjes këtë të mërkurë, marrëdhënia e Belinda Ballukut me SPAK nuk ka qenë gjithnjë pozitive. Disa muaj më parë, prokuroria speciale arrestoi krahun e saj të djathtë, Ervis Berberin, ish drejtor i ARRSH.

 

Berberi kishte ngritur një skemë të kalimit të parave në kompaninë ku kishte punuar dhe akuzohet se ndante paratë e buxhetit me miqtë e tij të vjetër. Po ashtu, mediat pranë Veliajt nuk i kanë reshtur sulmet ndaj Belinda Ballukut dhe njerëzve të saj besnikë, si drejtori i Tatimeve Ceno Klosi, që po sipas tyre është marrë nën hetim nga SPAK.

 

Fakti se pushtetarët i shohin hetimet e SPAK si përdorim të prokurorëve nga njëri apo tjetri klan në Partinë Socialiste, e ka pranuar edhe kryeministri Rama në një nga fjalimet e tij të shkurtra kohët e fundit.

 

“Jo po s’kam bërë asgjë, po më bien në qafë se ma bën ky e ma bën ai, se SPAK-u kështu e SPAK-u ashtu”… citoi Rama vartësit e tij gjatë një fjalimi të pak ditëve më parë, duke ia bërë të qartë se refuzon t’i përgjigjet ankesave për instrumentalizimin e prokurorëve të SPAK.

 

Ky citim i Ramës për ministrat dhe kryebashkiakët tregon pikërisht mendësinë që ekziston brenda në Partinë Socialiste, atë që goditjet e SPAK gjenerohen nga lufta e brendshme për pushtet. Në këtë panoramë, nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i qeshte sot Belinda Balluku, pasi foli në SPAK për inceneratorin e Tiranës./Lapsi.al

 

XS
SM
MD
LG