Dalin pamjet e operacionit të SPAK, 2 punonjës policie mes të arrestuarve
Ministri i Brendshëm Taulan Balla ka publikuar pamje nga megaoperacioni i sotëm ku u lëshuan 43 urdhër arreste pas zbardhjes së disa ngjarjeve kriminale nga SPAK.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se mes personave të arrestuar me urdhër të SPAK gjatë megaoperacionit policor për goditjen e disa grupeve kriminale edhe 2 punonjës policie.
Bëhet fjalë për Ergert Mitrin, i cili më herët ka pasur pozicion si drejtues i Policisë Lezhë, Klodian Jashari dhe Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s.
Zbardhja e bisedave të personave që përdornin aplikacionet “SKY ECC” apo “ENCRO CHAT” ka bërë që Gjykata e Posaçme anti-korrupsion të lëshojë 43 urdhër-arreste për ngjarje të ndryshme kriminale në vend, nga vrasjet, porosia e tyre, trafiku ndërkombëtar I drogës, apo edhe zhdukja e personave. Për këtë arsye, në orët e para të mëngjesit, SPAK ka nisur një operacion të gjerë në disa qytete të vendit, si Tirana, Durresi, Vlora, Lezha, Shkodra dhe Kruja.
Mes personave të kërkuar, urdhër-arreste janë lëshuar për një sërë emrash të botës së krimit në Shqipëri. Në mesin e tyre janë dy vëllezërit Bami, Valter dhe Durim, të cilët janë akuzuar shpesh si ideator, financues apo edhe pjesëmarrës në ngjarje të rënda kriminale në vend. Po ashtu kontrolle janë ushtruar edhe për dy vëllezërit Duka, Erlis dhe Leonard, të përfshirë në biznesin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit, në vrasjen e policit Santiago Malko apo edhe në trafikun ndërkombëtar të drogës./EN