Si ishin fshehur në furgonin me targa angleze 7 pako me k*kainë në Portin e Durrësit
Policia e Shtetit ka zbardhur detajet e operacionit "Pakot", në sajë të të cilit u sekuestruan 7 pako me kokainë me peshë 7.3 kg dhe në pranga ranë dy persona, përkatësisht Arjan Doçi dhe Mentor Çuni, djem tezesh, njëri prej tyre shoferi i furgonit. Nga pamjet duket se kokaina ishte paketuar në qese vakumi për të mos u nuhatur nga qentë anti-drogë, poshtë sediljes së shoferit.
Njoftimi i policisë:
Port, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar "Pakot", i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, Departamentin e Policisë Kriminale dhe autoritetet doganore të portit.
Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe me mbështetjen e inteligjencës informative të strukturave hetimore të Policisë së Shtetit, parandalohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të drogave të forta.
Gjenden të fshehura në një furgon dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 7 pako me lëndë narkotike kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.
Vihen në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i fugonit ku u gjet lënda narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi A. D.
Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
-A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit;
-M. Ç., 28 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga./Politiko.al