Lidhje


Plani i Motivimit të Administratës: Fleksibilitet në orarin e punës, në qershor hyn në fuqi rritja e rrogave!

Qeveria ka prezantuar sot planin e Motivimit të Administratës Publike, që përfshin rritjen e pagave në qershor të 2024, fleksibilitetin e orarit në punë, vlerësimin e performances së punonjësve si dhe një seri masash mbështetëse për mbarëvajtjen e punës në Administratë dhe trajtimin e punonjësve.Pikat kryesore të planit të motivimit janë shpalosur nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.

 

1.Fleksibiliteti i orareve në punë

 

“Sot prezantojmë disa elementë të paketës së motivimit. E para ndër kërkesat tuaja ka qenë garantimi i fleksibilitetit të orarit. Ndaj dëshiroj të ndaj me ju lajmin e mirë që brenda këtij viti do t’u mundësojë punonjësve të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, dhe shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopështe dhe shkolla. Teksa të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjellta, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës, dhe që natyrisht i përjashton ato njësi që kanë kontaktin e drejtpëdrejtë me qytetarin”, tha ajo.

 

Ndërkohë Pirdeu shtoi do ketë dhe disa risi të tjera për sa i takon lejes së zakonshme.

 

"E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike, Ju e kërkuat masivisisht, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtura se një jave,” tha ministrja Pirdeni.

 

 2.Rritje pagash brenda vitit 2024

 

Gjatë fjalës së saj ministrja theksoi se në korrik përmbyllet dhe rritja më e madhe e rrogave për administratën publike, plan i nisur një vit më parë.

 

"Rritja e pagave ka hyrë aktualisht në një fazë të dytë, e cila do të përmbyllet brenda këtij viti dhe do të përfshijë rritjet për nëpunësit civil të nivelit specialist, Forcat e Armatosura, punonjësit e sigurisë, si dhe të gjithë punonjësit në sektorin e arsimit dhe së fundi nga rradha por jo nga rëndësia, pagat e punonjësve të institucioneve të qeverisjes vendore, sikurse nga Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor. Kjo reformë i ka dhënë tashmë frytet e para, evidentuar kjo me rritjen 23 % rritje të numit mesatar të aplikatëve për rekrutime jashtë shërbimit civil për pozicione të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, pikërisht për shkak të rritjes më të ndjeshme të pagës së kësaj fashe dhe uljes në masën 15% të dorëheqjeve".

 

3.Vlerësim performance

 

Krahas rritjes së pagave do të ketë gjithashtu një vlerësim performance të punonjësve të administratës.

 

"Puna e institucionit do të matet mbi bazën e treguesëve të qartë të performancës, përfshirë këtu dhe aspekte të zhvillimit të kapitalit të tyre njerëzor. Sikurse do të parashikohet në ligj mundësia e dhënies së bonuseve për performancë të mirë në punë, brenda kufizimeve të diktuara nga nevoja e ruajtjes së një qasje sa më objektive".

 

4.Trajnime

 

Ajo tha se prej qershorit nis edhe akademia e lidershipit. 

 

" Prej qershorit nis akademia e lidershipit. Do të ketë një trajnim lidershipi të drejtuesve".

 

Administrata publike nuk është çerdhja e të këqijave, por një aset kombëtar, tha Kryeministri Rama në fjalën e tij duke iu përgjigjur akuzave të opozitës. Ai shtoi se më herët ky plan motivimi ishte i pamundur pasi administrata publike ka qenë e angazhuar kryesisht në shërbimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, ndërsa sot sipas tij, 95 % e këtyre shërbimeve janë online. 

 

“Fleksibilitetin në punë ka qenë e pamundur ta mendoje për shkak se numrin më të madh të punonjësve e kishim të angazhuar në shërbimin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Sot shërbimet i afrojmë në 95% të tyre online. Sot nuk ka më radhë, që të presësh, që të shkosh dhe të rrish në sportele. Por administrata nuk është çerdhja ku janë mbledhur gjithë djajtë dhe ndodhin gjithë gjërat e këqia. E shoh dhe e vlerësoj punën tuaj si një aset të rëndësishëm kombëtar. Fakti që po ekspozohen dhe trajtohen rastet e korrupsionit deri në nivelet më të larta, është një tregues që ne nuk kemi pse të ulim kokën, por duhet të krenohemi që shyqyr që po ndodh, pasi ka qenë një fakt i njohur niveli i korrupsionit”, tha Rama.

 

Faktin që në administratë rastet e korrupsionit po goditen, Rama e konsideroi tregues se fenomeni po luftohet seriozisht.

 

"Fakti që sot publiku ballafaqohet me më shumë raste nuk tregon se korrupsioni është rritur, tregon se po luftohet seriozisht, sepse aty kanë qenë problematikat korrupsioni, por flitej nga të 4 anët dëgjohej dhe askush nuk ekspozohej. Për këtë arsye duke u gjendur para ekspozimit, vetvetiu krijohet ideja se këtu po ndodh diçka shumë e rëndësishme. Po ndodh diçka shumë e rëndësishme dhe në aspektin e nderit të punonjësve të administratës. Është e padrejtë se për shkak të një pjese që janë në çdo sektor të shikohet gjithë masa e madhe a atyre që punojnë si e infektuar".

 

Plani i Motivimit të Administratës Publike, Rama shtoi se është "pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit shqiptar në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve.

 

Në aktivitetin për prezantimin e planit të motivimit të administratës publike, i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE Silvio Gonzato, për të cilin administrata luan rol kyç për integrimin në BE. Gjatë eventit u vlerësuan me trofe simbolike 11 punonjës të administratës nga 11 ministri dhe Kryeministria./shqiptarja.com

XS
SM
MD
LG