U vra me dy plumba në kokë, gjendet trupi i recepsionistit të hotel ‘Greccia’ në Dhërmi! Arrestohen 2 punonjësit, ndihmuan pronarin ta fshehë
VLORË- Trupi i pajetë i recepsionistit të hotel ‘Greccia’, Eraldo Nevruzi është gjetur në afërsi të Vunoit në Vlorë. Policia ka arritur të zbardhë dinamikën e vrasjes, ndërsa burime bëjnë me dije se Nevruzi është qëlluar me dy plumba në kokë nga pronari i hotelit Gerald Shehu.
Ky i fundit bashkë me dy punonjës të hotelit kanë rënë në pranga. Dy punonjësit, Daniel Qose, 33 vjeç, dhe David Larti, 30 vjeç, të dy banues në Korçë, akuzohen për ‘Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, pasi kanë ndihmuar pronarin e hotelit duke e fshehur trupin në qese plehrash dhe më pas ta fusnin në bagazhin e makinës.Ndërkohë, pronari i hotelit Gerald Shehu u arrestua dje, 6 qershor, në Korfuz teksa po tentonte të ikte në aeroport për t’u larguar në Britani të madhe.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa pritet ekstradimi në vendin tonë. Gjatë kontrolleve që janë ushtruar në banesën e tij, policia ka gjetur një gëzhojë të futur në kasafortë. Dyshohet se është një prej gëzhojave të plumbave që qëlluar recepsionistin Nevruzi.
Dëshmia e dy punonjësve
Dy punonjësit, Qose dhe Larti, kanë dëshmuar para grupit hetimor se janë detyruar nga pronari që ta ndihmonin për të fshehur trupin. Sipas dëshmisë, pronari u ka kërkuar që ta fusin trupin në një qese të zezë dhe më pas e kanë futur në bagazhin e makinës. Pas kësaj, autori ka vepruar i vetëm.
Ata kanë treguar se pronari Shehu dhe 31-vjeçari kanë pasur një konflikt dhe pas debateve, Shehu ka qëlluar me dy plumba në kokë të riun rreth orës 12:30 të 6 qershorit 2023. I riu kishte vetëm 1 javë që kishte nisur punë në këtë hotel në Dhërmi.
Alarmi nga turistja e huaj
Ka qenë një turiste e huaj që ka ngritur alarmin për ngjarjen, duke thënë se ka dëgjuar të shtëna me armë. Më pas vjehrra e autorit, e cila rezulton edhe bashkëpronare e hotelit, ka njoftuar në telefon policinë, pasi nuk ka gjetur recepsionistin në hotel dhe as rrobat e tij.
Dinamika e ngjarjes dhe arratisja e pronarit
Ngjarja ka ndodhur pas mesnatën e 6 qershorit, kur pas debatit Shehu ka qëlluar me dy plumba në kokë recepsionistin. Nga kamerat e sigurisë është zbuluar se 43-vjeçari pasi ka futur trupin e viktimës në makinë ka djegur telefonin dhe sendet personale të tij në furrën e picerisë dhe më pas trupin e ka hedhur në guroren mes Gjipesë dhe Vunoit.
Rreth orës 04:00 të mëngjesit të 6 qershorit, Shehu ka marrë mjetin e tij Audi A8 dhe është larguar për në Greqi përmes Qafë Botit. Mësohet se ka ndjekur itinerarin nga Himara- Kuç- Tepelenë - Delvinë- Sarandë deri në Qafë Botë ku ka kaluar kufirin. Ai është arrestuar në Korfuz teksa kishte prerë një biletë për të shkuar në Britani të Madhe.
Pistat e hetimit
Pistat të cilat dyshohet se ka ndodhur ngjarja në fjalë janë konflikt i çastit si dhe prishje e pazareve të drogës në Angli pasi viktima dhe autori kishin njohje në Angli ku dyshohet se mund të jenë përfshirë në botën e krimit.
Raportoi për Shqiptarja.com dhe Report Tv, gazetari Armand Xhelili