Lidhje


Thellohet ndjeshëm diferenca me shtetin, pagat e të punësuarve në privat nuk u rritën

Paga mesatare në ekonomi ka arritur në 71.486 lekë në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas INSTAT, duke shënuar një rekord historik.

 

 

Në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar paga është rritur me 16%. Ndërsa në raport me tremujorin e mëparshëm rritja e pagave është vetëm 0.8%.

 

Rritja me bazë tremujore është shumë më e ulët sesa në tremujorin e dytë, kur pagat u zgjeruan ndjeshëm me 9.5% në raport me janar-mars 2023, e ndikuar nga pagat e sektorit shtetëror.

 

 

Qeveria nisi një reformë pagash në sektorin shtetëror, me synimin për ti barazuar ato me rajonin, teksa qëllimi tjetër ishte që përmes përmirësimit të niveleve në sektorin shtetëror, të ndikonte indirekt dhe që bizneset të bënin të njëjtin veprim për punonjësit e tyre.

 

Por, bizneset nuk duket se kanë rënë pre e “presionit”, në një sinjal se është produktiviteti faktori kryesor që ndikon në këtë tendencë, të paktën për sipërmarrjet private.

 

 

Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit, kur ekonomia u gjallërua ndjeshëm për shkak të turizmit, pagat e sektorit privat nuk janë rritur fare në raport me tremujorin e mëparshëm, duke mbërrut në 65.9 mijë lekë në muaj. Në të kundërt, pagat në sektorin shtetëror vijuan rritjen, duke arritur në 84.3 mijë lekë, me rritje 2.6% në raport me tremujorin e mëparshëm.

 

Rritja e shpejtë e pagave në sektorin shtetëror ka bërë që të thellohet ndjeshëm diferenca me privatin, për të arritur në tremujorin e tretë në 18.3 mijë lekë, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga tremujori i tretë 2020, kur raportohen të dhënat. Në këtë mënyrë, paga në sektorin privat është mesatarisht 22% më e ulët se ajo në shtet.

 

Sektorët

 

 

INSTAT raportoi se gjatë tremujorit të tretë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.

 

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 18,6%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 11,4%.

 

 

Gjatë tremujorit të tretë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)” ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

 

 

Burimi: Monitor

XS
SM
MD
LG