Beleri në qeli/ Rama në siklet me Brukselin për betimin e eurodeputetit të burgosur
Vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme për ta lënë Fredi Belerin në burg, e vendos qeverinë shqiptare përballë një sprove të re në raport me ish-kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, që pak javë më parë u zgjodh eurodeputet në Greqi. Kjo sprovë, duket se është në radhë të parë një test për kryeministrin Edi Rama, që deri tani i ka rezistuar presionit të Greqisë për Belerin.
Si çdo eurodeputet tjetër, nga data 16 korrik deri në 19 korrik, Beleri duhet të jetë fizikisht në Bruksel për të kryer betimin. Procedura parashikon që partia e Micotakisit, “Demokracia e re” të paraqesë një dosje me dokumentat e secilit prej kandidatëve të saj fitues. Mes tyre edhe Fredi Beleri, që ndodhet në qelitë e burgut në Shqipëri.
Nëse do ta kishte shpallur të pafajshëm, apo nëse do t’ia kishte ulur dënimin Gjykata e Apelit do t’i kishte hapur rrugë betimit të Belerit si eurodeputet, duke e shpëtuar edhe qeverinë shqiptare nga një përballje me Brukselin. Sepse në datat e paracaktuara, kur Beleri të mos paraqitet për betimin e tij, sytë e europarlamentarëve europianë do të kthehen nga Shqipëria, sistemi i saj i drejtësisë dhe interesat që çuan në burg kandidatin e opozitës në Himarë.
Këtu lindin disa pikëpyetje të tjera. Si do të veprojë Drejtoria e Burgjeve, që varet nga Ministria e Drejtësisë nëse Beleri kërkon leje për t’u betuar në Strasburg? A do të sfidohet Parlamenti Europian, njësoj siç ndodhi me Këshillin Bashkiak të Himarës? Nëse Belerit i jepet leje për t’u betuar, a del hapur në këtë mënyrë standarti i dyfishtë i qeverisë, që për të njëjtën kërkesë merr vendime të ndryshme.
Presioni mbi qeverinë e Ramës do të jetë në maksimum. Në fund të fundit ky skenar ishte parashikuar që në momentin kur kryeministri i Greqisë, Qirjako Mitsotakis zgjodhi ta kandidojë Belerin për eurodeputet me partinë e tij.
Një rast i ngjashëm me Belerin është ai i eurodeputetes së zgjedhur italiane Ilaria Salis. Ajo ishte në arrest shtëpie në Hungari, por u lirua nga autoritetet hungareze pasi u zgjodh eurodeputete duke shpëtuar Hungarinë nga një përplasje me Brukselin. Salis u përball me mundësinë e një dënimi me 20 vjet burg.
Salis u zgjodh eurodeputete me partinë e Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë dhe u lirua si rezultat i imunitetit të saj si eurodeputete.
Arrestimi i Fredi Belerit për shitblerjen e votave
Fredi Beleri u arrestua me urdhër të SPAK në 12 Maj të vitit 2023, vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve lokale, ku ai kandidonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të opozitës. Prokuroria e Posaçme e akuzonte për shitblerje votash. Pavarësisht se ishte në burg, Fredi Beleri arriti të fitonte në zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë të vogël votash përballë kandidatit të mazhorancës, Jorgo Goros. Këtu fillon edhe kalvari i kërkesave për betim dhe lirim të tij.
Betimi si kryetar bashkie i Himarës iu mohua edhe pas kërkesave të vazhdueshme të qeverisë greke, ministrit të tyre të jashtëm dhe kryeministrit Mitsotakis.
Fredi Beleri dhe avokatët e tij kanë bërë përpjekje të mëdha për të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, por në asnjë rast GJKKO nuk e ka lejuar. U bënë dhjetëra kërkesa që të lejohej vetëm për pak orë liri, por që të gjitha u refuzuan, si nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Apeli i Posaçëm.
Kërkesa për liri të përkohshme u bë edhe në Gjykatën e Lartë tre herë, por sërish edhe ky institucion i drejtësisë nuk pranoi asnjë prej tyre.
Lejen mund t’ia jepte edhe qeveria shqiptare. Ministria e Drejtësisë reagoi duke sqaruar se mund të jepte leje për dalje nga burgu, përpos dasmave, varrimeve apo testimeve. Dhe e vetmja kërkesë që u pranua ishte lirimi për pak orë për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes.
Në këtë rast, shkruan Zëri i Amerikës, rregullorja e Parlamentit Europian parashikon që “përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit kryhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj”.
“Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Europian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare” shkruan Zëri i Amerikës. Por Beleri është i dënuar në një vend joanëtar të BE-së, pra nuk ka një precedent konkret si veprohet në një rast të tillë. /LAPSI.AL