Lidhje


Rama thirrje emigrantëve të kthehen/“Punë ka, por nuk ka profesionistë”. Do paguheni njësoj, do kurseni më shumë

Kryeministri Edi Rama, në një takim me sipërmarrjet, partnerët ndërkombëtar e ekspertë të arsimit u ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë, kryesisht atyre që jetojnë në Greqi që të kthehen për të punuar në vendin e tyre. 

 

Rama u siguroi se këtu ka vende pune që paguhen njësoj si në vendet e tjera. Ndërsa për emigrantët grekë, të cilët përgjithësisht punojnë në turizëm, Kryeministri theksoi se në fund të muajit bilanci i të ardhurave do të jetë më i lartë nëse punojnë në Shqipëri, kjo pasi siç thotë ai “do të jenë pranë shtëpisë së tyre, do të kenë shpenzime shumë më modeste transporti, do të kenë taksa shumë më të ulëta”.

 

“E thënë ndryshe sot pa asnjë diskutim, në  industrinë e turizmit në Shqipëri, jo vetëm që ka vende pune, por ka vende pune me gatishmërinë për të paguar njësoj si në vendet rreth e rrotull.

 

Problemi është aftësia. Përtej, pastaj edhe paragjykimeve dhe keqinformimit që pengon njerëz që nga vendi ynë kanë shkuar, le të themi në Greqi, që punojnë në sektorin e turizmit në Greqi dhe që po të kthehen dhe të angazhohen në sektorin e turizmit në Shqipëri, pa diskutim që në fund të muajit do të kenë një bilanc të ardhurash më pozitiv, sepse do të jenë pranë shtëpisë së tyre, do të kenë shpenzime shumë më modeste transporti, do të kenë taksa shumë më të ulëta, kështu me radhë”, tha Rama.

 

Takimi u zhvillua për  “Arsimin Profesional Dual” dhe “Fondin Kombëtar të Aftësimit”, një sistem arsimor me bazë punën në biznes në mbështetje të sektorëve prioritarë ekonomikë, bazuar në modelet më të mira të vendeve të zhvilluara si Zvicra dhe Gjermania, i cili do fillojë të implementohet nga ky vit./Top Channel

XS
SM
MD
LG