Shqiptarët punojnë 8 orë më shumë se europianët
Në Shqipëri punohet mesatarisht rreth 44 orë në javë, gati 8 orë më shumë sesa në vendet e BE-së. Shqipëria renditet kështu i dyti në Europë pas Turqisë për orët më të gjata të punonjësve në punë.
Sipas anketës se forcës së punës kryer nga INSTAT, punonjësit e sektorit të prodhimit janë ata që punojnë më gjatë me 46.5 orë në javë, pasuar nga sektori i ndërtimit me mesatarisht 45.6 orë në javë.
“Shqipëria është një vend ku punonjësi vlerësohet për nga orët e gjata të punës. Një punonjës sot duhet të vlerësohet në bazë të produktivitetit. Produktiviteti është rritur nëse punojnë më pak”, thotë eksperti Erion Muça.
Orët më të pakta të punës në Shqipëri i kanë punonjësit e administrimit publik apo shërbimeve sociale me 40 orë në javë.
Nismën më të fundit për orare fleksibël në shtet, eksperti i punësimit e sheh si pozitive.
“Është një model interesant, duhet të shërbejë dhe të përqafohet edhe nga sipërmarrja private, të tregojë dhe të jetë shembull i standardizimit dhe modernizimit që duhet të ketë një sipërmarrje duke qenë i ndjeshëm ndaj rëndësisë që ka punonjësi”.
Në krahasim me gratë, burrat kanë orët e punës më të zgjatura, me 1.9 orë më shumë./TMonitor