Lidhje


Një ditë pas largimit të Ballës, rikthehet dosja me 3.4 milion euro në Toyota Yaris

Kur dëgjoi Ramën që i njoftoi largimin nga zyra e ministrit të brendshëm për ta degdisur në vartës të Elisa Spiropalit, Taulant Balla thjesht u shtang. Ai ishte ulur disa radhë pas kryetarit. Në krahun e djathtë kishte ministren e turizmit Mirela Kumbaron, që nuk u përmbajt dhe e pyeti nëse dinte gjë. Balla shihet që rrudh fytyrën nga shija e keqe që i lanë fjalët e Ramës. Kur i afrohet Veliaj, Balla ngriti supet me një buzëqeshje të hidhur.Nga filmimet më poshtë dallohet se lajmi i shkarkimit i erdhi surprizë.

 

Gjithsesi, një operacion i SPAK të hënën, një ditë pas largimit të Ballës nga ministria e brendshme ngre dyshime se shkarkimi ishte një vendim që Rama ishte i detyruar ta merrte.

 

SPAK urdhëroi arrestimin e prokurorit të Vlorës Aurel Zarka, hetueses së BKH-së, Eriona Dautaj, avokatit Radovan Çela dhe të një personi të quajtur Astrit Vladi.

 

Ky i fundit, Astrit Vladi është vëllai i Elvis Vladit dhe kushëri i Alfred Vladit. Këta të dy janë personat e shpallur në kërkim për 3.4 milion eurot që erdhën në Durrës të fshehura në dy Toyota Yaris në vitin 2018.

 

Më saktësisht, sekuestrimi ndodhi në 24 Qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit. Dy makinat ishin nisur nga Belgjika dhe shërbimet partnere po i ruanin për të marrë vesh kush do t’i priste paratë në Shqipëri.

 

Tre persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i kompanisë që transportoi makinat. Fillimisht u tha në media se ishin 5 milion euro, pastaj zyrtarisht policia njoftoi për gjetjen e 3.4 milion eurove.

 

Por historia komplikohet për shkak të një denoncimi të fortë që kishte bërë Lulzim Basha 3 ditë para operacionit të policisë.

 

Në seancën parlamentare të 21 qershorit, Lulzim Basha drejtoi gishtin nga Taulant Balla dhe tha: “Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë (duke treguar me gisht nga Balla, që po qeshte bashke me kryeministrin Edi Rama) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”,– tha Basha.

 

Kapja e makinave në Durrës ishte provë se Lulzim Basha dinte diçka më shumë. Që nga ajo ditë, si për Lulzim Bashën, ashtu edhe për Taulant Ballën nisën telashet për sqarimin e të vërtetës.

 

Basha nuk sqaroi asnjëherë se kush ishte lidhja e Taulant Ballës me paratë e sekuestruara në makina. Nga ana e tij, Taulant Balla e hodhi në gjyq për shpifje dhe më vonë Basha u dënua me 50 mijë lekë gjobë.

 

Edhe policia shqiptare nisi hetimet për dekonspirim të operacionit, ndërsa prokurorët belgë erdhën në Tiranë dhe kërkuan të marrin në pyetje Lulzim Bashën.

 

Elvis dhe Alfred Vladi nuk u arrestuan asnjëherë për 3.4 milionë eurot e “Toyota Yaris” që vinin nga Belgjika. Të dy e dinin se ishin zbuluar kur dëgjuan Lulzim Bashën të bënte denoncimin në parlament.

 

Mendohet se operacioni i SPAK për arrestimin e Astrit Vladit ka të bëjë me bisedat në SKY ECC. Këto biseda mund të zbulojnë diçka më shumë për këtë histori./Lapsi.al

XS
SM
MD
LG