Vodhi 5 mln lekë nga xhiroja ditore e 6 karburanteve, vihet në pranga menaxheri
Një 55-vjeçar nga Elbasani është arrestuar nga policia, pasi ka grabitur xhiron ditore të 6 karburanteve që kishte nën menaxhim. Mësohet se shuma e vjedhur kap vlerën e 5 milion e 400 mijë lekëve të vjetra.“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grid”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit S. Zh., 55 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur rreth 5 400 000 lekë (xhirot ditore), duke shpërdoruar detyrën menaxher i 6 pikave për shitjen e karburantit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash, që u gjet në ambientet e punës ku qëndronte ky shtetas.”- njofton policia.
Policia po punon edhe për arrestimin e 25-vjeçarit me iniciale E. B., pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash menaxherit-grabitës, me anë të mashtrimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./boldnews