“Më jep xhiron ditore”! Si ndodhi për gjobvënie ngjarja e rëndë në Pogradec dhe kush u mundua ta fshihte, akuzat e forta të familjarëve: Fajin e ka policia
Ishte pasditja e 10 gushtit kur Egli Proga mbylli qepenin e lokalit të tij në Pogradec për herë të fundit dhe u drejtua për në shtëpi.Pak metra më tej, në afërsi të një lokali tjetër ishte ulur Denis Meçe dhe e ftoi Eglin për një cigare. Ai i ka kërkuar xhiron ditore 42-vjeçarit si “gjobvënie”, por ky i fundit ka refuzuar. Në ato momente, Egli është shprehur se nuk mund t’i jepte xhiron ditore, pasi kishte për të mbajtur fëmijët e tij.Xhiroja ditore i kushtoi jetën Eglit, pasi u godit me grushte në anën e majtë të kokës nga Denis Meçe, goditje e cila ishte fatale. Dëmtimet e shkaktuara nga dhuna kanë qenë serioze dhe megjithëse u dërgua në spital Egli Proga nuk mundi dot të mbijetojë.
Çfarë thanë dëshmitarët
Ngjarja u regjistrua në sy të shumë dëshmitarëve të cilët heshtën përpara autoriteteve ndërsa 3 prej tyre u vunë në pranga për moskallëzim krimi. Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, jo vetëm nuk kallëzuan krimin, por akuzohen se penguan edhe zbardhjen e së vërtetës, ndërsa sot u lanë të lirë nga Gjykata e Korçë.
Dëshmitarët e tjerë kanë treguar për Top Channel se ai ra në tokë dhe qëndroi i shtrirë për 30 minuta, ndërsa aty pranë ishte edhe një efektiv policie.
Familjarët kanë tentuar ta marrin 42-vjeçarin dhe ta dërgojnë në spital, por janë refuzuar dhe iu është thënë nga policia se ndihma mund të jepet vetëm nga persona të specializuar, por ambulanca erdhi me vonesë sipas tyre.
Akuzat e forta të familjarëve
Jonida, e motra e të ndjerit ka hedhur akuza të forta që prej ditës së djeshme për autoritetet. Ajo thotë se vetë autoritetet janë munduar të fshinin ngjarjen duke e raportuar si aksidentale. Sipas saj, Policia e Shtetit veproi me vonesë, ndërsa edhe ambulanca u vonua dhe ndërhyrja për të vëllanë ishte shumë vonë. Madje e motra deklaroi se policia fillimisht u tha familjarëve se ai ishte rrëzuar, por kur kanë parë trupin, duke qartësisht që ishte dhunë barbare.
Të afërmit e tjerë thonë se të përfshirët në ngjarje njihen në zonë për gjobvënie ndaj personave të tjerë, por autoritetet kanë heshur.
Hetimi paralel për ngjarjen
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u detyrua dje të udhëronte inspektimin e procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës, lidhur me ngjarjen e cila u raportua fillimisht si aksidentale.
Ai urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.
Vendimi i Gjykatës së Korçës
Në seancën e cila ka zgjatur më shumë se një orë prokuroria ka kërkuar masën arrest në burg për autorin nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia si dhe caktimin e masës detyrim paraqitje për Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe dy të tjerët klientë që kanë qenë duke konsumuar kafe. Gjykata e Korçës ka lënë në masën e sigurisë arrest në burg 29 vjeçarin Denis Meçe vrasësin e Egli Progës ndërsa ka caktuar masën e sigurisë Detyrim Paraqitje për tre te akuzuarit e tjerë për moskallëzim krimi.
Edhe pse në njoftimin zyrtar të policisë së Korçës Denis Meçe është arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje, organi i akuzës ka vlerësuar se nga hetimet e deritanishme vepra klasifikohet si vrasje nga pakujdesia. Por motra e Eglit dhe të afërmit thonë se kjo vrasje vazhdon të shoqërohet me shumë padrejtësi të tjera
Hetimet e mëtejshme do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë të ndodhur si pasojë e “gjobvënies”, fenomen i përhapur në vendin tonë, por për të cilin pak flitet.
Njoftimi i plotë i Gjykatës
Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 13.08.2024 ora 11:00 seanca me objekt: “Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve D.M, V.SH, A.M, L.G ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës.
1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit D.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.
2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit V.Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
3-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
4-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit L.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal./TCH