Lidhje


Punimet në tunelin e Murrizit, Balluku: Synojmë të përfundojë brenda vitit 2024

Në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, po punohet për betonimin e 400 metrave të fundit. Edhe pse përbërja gjeologjike e këtij tuneli ka qenë tejet e vështirë, dhe burime ujore janë të shumta, puna nuk është ndalur për asnjë moment.

 
Aktualisht po punohet në të dyja drejtimet duke synuar që në fund të këtij viti tuneli të hapet për qarkullimin e automjeteve, duke përmbyllur kështu një prej veprave më të rëndësishme të Rrugës së Arbrit.
 

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, ishin në kantier ku ndoqën nga afër ecurinë e kësaj vepre.

 

Zëvendëskryeministrja Balluku gjatë inspektimit theksoi rëndësinë që ka kjo vepër e cila do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes qarkut të Dibrës dhe kryeqytetit, duke nxitur njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të zones.

 

“I kemi vënë vetes disa afate që unë shpresoj shumë që ti mbajmë, pasi ky është një akses i jashtëzakonshëm për në verilindjen e vendit dhe më pas për në veri. Dibra e ka shumë të rëndësishme këtë rrugë, por jo vetëm Dibra, pasi sot e gjithë krahina e Matit gjithashtu është duke u zhvilluar nga ana e agroturizmit dhe nga ana e njësive të tjera industriale”, deklaroi Balluku.

 

Përveç zhvillimit të turizmit, ministrja Balluku theksoi edhe rolin që do të ketë kjo vepër për lidhjen me Maqedoninë e veriut, pasi përmes rrugës së arbrit shkohet në dy dogana me Maqedoninë e Veriut.

 

“Duhet thënë që është një akses për në dy pika kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht është një nga rrugët më të rëndësishme që lidh kryeqytetin. Kështu që unë shpresoj shumë që ky tunel, si përfundim dhe kurorëzim i kësaj vepre, i të gjithë Rrugës së Arbrit, të mbyllet brenda vitit 2024 dhe me gjasa duket sikur gjërat po ecin”, tha Balluku.

 

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës./EN

XS
SM
MD
LG